Imami nga Rahoveci: Për shkak të veshjes provokative të vajzës, ndodhi skandali në Drenas

Aktuale

Imami nga Rahoveci: Për shkak të veshjes provokative të vajzës, ndodhi skandali në Drenas

Më: 7 shkurt 2019 Në ora: 20:57
Imami Bedri Bytyçi

Rasti i vajzës së mitur nga Drenasi po vazhdon ta trondit vendin. Një numër qytetarësh sot protestuan para stacionit kryesor të policisë në Prishtinë pasi një pjesëtar i saj u përfshi në skandalin e abuzimit me të miturën ndërkohë që gjatë ditës u arrestua edhe profesori i saj që po ashtu kishte abuzuar me vajzën. Por, imami i një xhamie në Rahovec Bedri Bytyqi, ka fajësuar edhe vajzën e mitur e cila ka qenë viktimë e rastit të abuzimit dhe keqtrajtimit seksual. Sipas Bytyqit, veshja provokative në shkollë e nxënëses ka nxitur mësuesin e paedukatë që ta ngacmojë.

“Faji është i gjithanshëm, sepse kur nxënësja shkon në shkollë me veshje dhe dukje provokative, kur prindërit krenohen me veshjen dhe dukjen e saj provokative, kur mësuesi i paedukatë, mezi pret t’i ngacëmoi e shfrytëzoi nxënëset e tij, e keqja është në prag”, ka thënë imami Bytyqi.

Ai në postimin e tij në Facebookka folur edhe për rastin që ka ndodhur ditë më parë në Vushtrri, ku një qytetar ishte detyruar ta shes vicin për ta varrosur nënën. Bytyqi thotë se këtij rasti i është dhënë  qëllimisht hapësirë në media.

“RTK i mbyll sytë përballë lloj-lloj skandali që ndodh nëpër institucionet publike shtetërorë por është syçelë dhe mezi pret që të ndodhë diçka në institucionet fetare Islame për të bërë kronikë e për të qenë lajmi kryesor, pavarësisht se RTK si televizion publik paguhet nga 95% myslimanë!U mundua të njollos petkun e Imamit por u njollos vet!”.

Reagimi i tij i plotë i Bytyqit: 

Nevoja për moral institucional apo për institucione morale!

Në Kosovën tonë të “dashur” ka vend dhe hapësirë për çdo gjë që nuk është e mirë, për çdo gjë që nuk është morale, nga ajo më e vogla deri të më e madhja, e cila është e vogël dhe e madhe nuk dua ta definoj!

Java filloi me një kronikë nga RTK-ja, e cila kronikë ishte vendosur ndër lajmet e para të edicionit informativ, për një keqkuptim që kishte ndodhur mes Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri dhe një qytetari për (mos)pagesën e antarësisë si rrjedhojë për (mos)kryerjen e ceremonisë së varrimit!

RTK i mbyll sytë përballë lloj-lloj skandali që ndodh nëpër institucionet publike shtetëore por është syçelë dhe mezi pret që të ndodhë diçka në institucionet fetare Islame për të bërë kronikë e për të qenë lajmi kryesor, pavarësisht se RTK si televizion publik paguhet nga 95% myslimanë!U mundua të njollos petkun e Imamit por u njollos vet!

Vazhdoi e dita e marte me skandalin e policit ndaj një të miture, që erdhi si pasojë e ngacmimit seksual të mësuesit ndaj nxënëses, kjo e fundit për të kërkuar ndihmë nga polici e gjeti vetën në prehrin e tij!Faji është i gjithanshëm, sepse kur nxënësja shkon në shkollë me veshje dhe dukje provokative, kur prindërit krenohen me veshjen dhe dukjen e saj provokative, kur mësuesi i paedukatë, mezi pret t’i ngacëmoi e shfrytëzoi nxënëset e tij, e keqja është në prag!

Kur ne i kemi sytë në ndihmën e policëve tanë, e ata(ai) na “ndihmojnë” duke na shantazhuar e duke shfrytëzuar rastin, s’na mbetet tjetër veçse ta marrim vet ligjin në dorë!

Rasti i radhës ishte “mirësjellja” e doktorit me një paciente!

Këto skandale që pak i dijmë e që shumë janë në realitet, na tregojnë se qëndrojmë keq si shoqëri, se duke dashur të bëhemi dikush tjetër, kemi harruar se cilët ishim, se urgjentisht kemi nevojë për moral institucional ose për institucione morale!

Duhet rritur koeficenti moral!
Bedri Bytyçi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat