“Gjermania, nëse do, e detyron Serbinë të njohë Kosovën për 24 orë”

Aktuale

“Gjermania, nëse do, e detyron Serbinë të njohë Kosovën për 24 orë”

Më: 9 shkurt 2019 Në ora: 00:45
Angela Merkel dhe Aleksandar Vuçiq

Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se edhe Gjermania, si një nga vendet më përkrahëse të Kosovës, kanë marrëdhënie biznesore me Serbinë, e këto marrëdhënie nuk i prishin për shkak të ‘dashnisë‘ që kanë për ne.

Ahmeti, në një emision në RTV21, ka theksuar se është e qartë se partnerët evropianë nuk kanë mundur të na sjellin njohjen nga Serbia, pasi nuk kanë dashur t’i bëjnë presion.

Sipas tij, në momentin që Gjermania do të deklaronte se nuk ka pranim të Serbisë në BE, lajmërojnë tërheqje të investimeve nga Serbia dhe i bëjnë bllokada ekonomike, “brenda 24 orëve Serbia do të na njihte si shtet”, e për këtë kryetari i PSD-së është i sigurt.

Për çështjen e taksës, Ahmeti konsideron që gjëja më e keqe do të ishte të lëshojmë pe pas një apo dy jave.

Më mirë, sipas tij, do të ishte që nëse vendoset pezullimi i saj, të deklarohet se kemi vendosur të gjithë së bashku, e Serbia i ka 90 ditë për arritjen e marrëveshjes, “e në rast të dështimit rikthehet taksa automatikisht, e kjo do të ndodhë edhe nëse ju vendosni veç edhe një kusht më tepër”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate deklaroi se është koha përfundimisht që të gjithë të ulen bashkë, përfshirë edhe subjektet opozitare, dhe të merret një vendim për taksën, pasi askush nuk dëshiron ta marrë përgjegjësinë, të dalë të kërkojë heqjen e taksës, e pastaj ai faj t’i mbetet personit që ka kërkuar këtë.

Duke folur për taksën, Ahmeti ka deklaruar se kjo ndarje e subjekteve po i bën dëm të madh Kosovës.

“Kur dikush dëshiron ta heqë taksën e dikush tjetër ta mbajë”, sipas Ahmetit, “ne nuk mund t’i bëjmë kërkesë Brukselit që nuk pranojmë kushte, ose do të ulemi në tavolinë pa heqjen e taksës ose nuk ka dialog”.

Ahmeti deklaroi se ai i ka thënë edhe kryeministrit Haradinaj kur është vendosur për taksën se e kanë mbështetjen e PSD-së, pasi, sipas tij, “kryeministri Haradinaj nuk bën të duket i vetëm në këtë betejë”.

Ai shtoi se “nëse do të merremi vesh bashkërisht që e mbajmë taksën dhe e durojmë presionin, të gjithë duhet të shtrëngohen, se kur të thotë Amerika duhet ta heqim taksën”, sipas Ahmetit, “duhet pak mu shtrëngu”.

“Në qoftë se e mbajmë taksën, ta mbajmë presionin bashkërisht, në qoftë se e heqim taksën ta ndajmë kritikën publike”, ka qenë kërkesa e Ahmetit.

Duke biseduar për propozimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për kufijtë, ku janë përmendur fjalët korrigjim, ndryshim, shkëmbim, korrigjim i lehtë, bashkëngjitje e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, Ahmeti deklaroi se nuk e kupton propozimin e presidentit Thaçi.

Ai shtoi se ka dallim mes demarkimit dhe korrigjimit të kufirit, pasi, sipas tij, demarkimi është proces teknik, dhe nënkupton vendosjen e vijave kufitare sipas vijës si është shpallur territori gjatë shpalljes së pavarësisë, e delimitimi është koncept tjetër, ndarje politike e sovraniteteve mes dy shteteve.

Ai shton se një temë e delimitimit dhe ndryshimit nuk është përmendur në Bruksel, “e nëse kjo është një temë që kërkohet nga Serbia, atëherë pse është presidenti Thaçi i pari që e hap këtë temë?!”

Tema e më shumë se 80 zëvendësministrave ishte një çështje që nxiti shumë diskutim e bëri bujë në Kosovë. Për këtë çështje kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, deklaroi se i ka thënë edhe kryeministrit Ramush Haradinaj se kjo “është hajgare”.

Ahmeti shtoi se kryeministri as emrat nuk ua di zv/ministrave.

“Ne marrim vesh kush ka qenë zv/ministër kur arrestohet apo kur ndodhë diçka dhe themi ‘uuu ky koka zv/ministër’”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka shtuar se as vet nuk i njeh të gjithë, e kjo, sipas tij, është absurditet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat