Haradinaj "nuk ka informata" për vizitën e anuluar të gjeneralit amerikan - Bota Sot
Haradinaj "nuk ka informata" për vizitën e anuluar të gjeneralit amerikan

Aktuale

Haradinaj "nuk ka informata" për vizitën e anuluar të gjeneralit amerikan

Më: 11 shkurt 2019 Në ora: 18:08
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se nuk ka ndonjë "informatë zyrtare" rreth anulimit të vizitës së gjeneralit amerikan, Timothy Orr, në Kosovë.

Autoritetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë thënë se kanë marrë njoftimin se gjenerali Orr e ka anuluar vizitën e tij në Kosovë në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% mbi prodhimet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Autoritetet amerikane kanë thënë se kjo taksë, që është vendosur qysh në muajin nëntor, nuk përkon me interesat e SHBA-së dhe disa herë kanë bërë thirrje për heqjen e saj.

Haradinaj këmbëngul se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Duke folur të hënën, gjatë një vizite në Pejë, në lidhje me vizitën e anuluar të gjeneralit amerikan, Haradinaj tha:

"Nuk kam marrë ndonjë informatë zyrtare, por me siguri që ata që e kanë, i takoni dhe i pyesni".

Haradinaj foli edhe për takimin që ka zhvilluar të hënën me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe me disa nga anëtarët e ekipit negociator me Serbinë.

“Ishte takim lidhur me platformën (e dialogut) dhe nëse i japim përkrahje platformës, atëherë jemi unikë të gjithë. Shpresoj se do ta gjejmë një bashkërendim edhe me partitë opozitare: Lidhjen Demokratike të Kosovës, Vetëvendosjen, Partinë Socialdemokrate. Po shpresoj që jemi të gjithë dakord”, tha Haradinaj.

Gjatë kësaj jave, ekipi negociator pritet të dorëzojë në Kuvendin e Kosovës platformën e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...