Deputeti i PDK-së godet Haradinajn për taksën

Aktuale

Deputeti i PDK-së godet Haradinajn për taksën

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 19:50
Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë se qëndrimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për taksën ndaj Serbisë ka ngjyrime të retorikës.

Duke përmendur kritikën që Haradinaj ia bëri komandantit të FSK-së, Rrahman Ramës, që u publikua letra me të cilën njofton kryeministrin dhe presidentin se komandanti i gardës së Iowas anulon vizitën për shkak të taksës, Pajaziti ka thënë se retorika është publike për raportet me SHBA-të.

“Dua ta ruaj korrektësinë si partner, por ka ngjyrime të tilla. Sot kemi vërejtje se bëri publike diçka, ndërsa krejt retorika është publike për raportet me SHBA-të, për çështjet e brendshme, askush nuk i mban në nivel të brendshëm. Pra ka retorikë”, ka thënë Pajaziti në KTV.

“Në periudhat tona ka pasur traditë të komunikimit normal të brendëshëm dhe kanë qenë të gjithë bashkë. Është hera e parë që nuk kemi pajtim pozitë-opozitë [për dialogun]”, ka shtuar ai.

Image
Zenun Pajaziti

“Masa nuk duhet të përdoret si e tillë. Pajtohem që retorika të mos jetë mollë sherri. Duhet të jemi bashkë në procesin negociator dhe të mos i japim mundësi alternativave tjera. Ka hyrë në retorikë gara për opsionet për negociatat, kur ende nuk dimë se çfarë duhet të bisedohet”, ka theksuar Pajaziti që ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij për pezullim të taksës për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë.

“Për shkak të kërkesave për hapje të dialogut, kemi kërkesë nga BE-ja dhe SHBA-ja që taksa të pezullohet. Tash institucionet duhet të marrin një vendim me qëllim që të mos lëndohen marrëdhëniet tona me partnerët strategjik”, ka thënë ai.

“Unë jam pjesëmarrës dhe dëshmitar i tri llojeve të debateve, edhe për Gjykatën Speciale, edhe për demarkacionin. Haradinaj ishte pjesë e atij debati dhe i dimë qëndrimet e secilit. Edhe për demarkacion kemi pasur të njëjtët politikanë, tash jemi me një situatë të njëjtë”, ka shtuar ai.

“Edhe më herët kemi pasur sugjerime nga aleatët dhe i kemi pranuar. Edhe këtë radhë kemi të njëjtën kërkesë, por edhe ne e kemi një lloj hezitimi, por nëse shohim zhvillimet edhe grupi i njerëzve që janë pjesë e ekipit negociator po punojnë për të nxjerr një platformë dhe ka vendosshmëri të kryeministrit. Askush nuk është për heqjen e taksës, jemi për gjetjen e rrugës për dialog dhe të mos rrezikohet partneriteti me aleatët”, ka thënë veç të tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat