Kontrollerët e trafikut ajror paralajmërojnë përshkallëzimin e grevës

Aktuale

Kontrollerët e trafikut ajror paralajmërojnë përshkallëzimin e grevës

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 09:55
Aeroporti ‘Adem Jashari’

(E plotësuar) - Shoqata Sindikale e Kontrollerëve të Trafikut Ajror, ditën e sotme ka mbajtur grevë njëorësh për të kundërshtuar përfshirjen e Agjencisë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror në ligjin për pagat. Ndërkohë, ditën e nesërme kanë paralajmëruar se do të mbajnë grevë 4 orë, për të vazhduar ditën e premte me grevë nga ora 8-16, derisa të shtunën në grevë do të jenë nga ora 8-20.00.

Greva do të pezullohet ditën e diel për nder të shënimit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar të hënën me grevë 24 orësh. E nëse pas këtyre grevave nuk ndërmerret diçka sindikatat thonë se do të vazhdojnë me greva të tjera.

Gjatë grevës që sot është mbajtur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” nuk është nisur dhe nuk ka aterruar asnjë aeroplan.

Kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve Ajror, Artan Hasani, ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror dhe ka bërë thirrje që ligji të mos dekretohet nga presidenti.

Hasani: Me miratimin e ligjit për paga na cenohet autonomia e institucionit

“Me miratimin e ligjit për paga neve si Agjenci na cenohet autonomia e institucionit dhe ne jemi shprehur kundër këtij ligji, mendojmë që ky ligj duhet të kthehet nga presidenti dhe të mos dekretohet dhe të bëhen ndërhyrjet për përmirësim të ligjit. Përndryshe ne jemi pro ligjit, fitohet ajo përshtypja që ne jemi kundër ligjit, por duhet të kuptohet që ka institucione në këtë vend që kanë specifikat e veta të cilat nuk munden me hy në një vend ose të përfshihen të gjitha këto institucione prej ligjit të pagave”, tha ai.

Hasani bëri të ditur kanë provuar të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar Ligjin për pagat dhe greva sipas tij është rruga e fundit që po e përdorin për ta shprehur kundërshtinë e tyre ndaj ligjit.

Hasani: Shërbimet për trafikun komercial ndërpriten

“Ne si institucion ose kontrollorët e trafikut ajror janë boshti i gjithë aviacionit në Kosovë dhe nëse kontrollerët e trafikut ajror shpallin grevë atëherë është e pamundur që të zhvillohet trafiku ajror në Kosovë ose në hapësirën që ne e zotërojmë ose e kontrollojmë. Por, ligji na detyron neve që të japim shërbim edhe gjatë grevës për fluturaket ushtarake, ambulantore, për fluturaket që janë në nevojë apo në emergjencë dhe ato shtetërore. Ne për këto japim shërbime, kurse shërbimet për trafikun komercial ndërpriten”, tha ai.

Po ashtu, ai ka ftuar presidentin që të mos e dekretojë Ligjin për paga. Ndërsa kryetari i Shoqatës Sindikale të Punëtorëve të Kontrollit Ajror, Kushtrim Fazliu, ka thënë se beson që kërkesa e tyre do të shqyrtohet.

Fazliu: Më 18 shkurt nisa greva 24 orë

“Ne sot fillimisht fillojmë me grevë një orë, pastaj nesër e vazhdojmë me 4 orë e kështu me radhë deri me datën 18 që fillon greva 24 orë... Ne besojmë që do të reflektojnë dhe  presidenti do e kthen ligjin në Parlament, por nëse nuk e kthejnë do të vazhdojmë kështu besoj”, tha ai.

Në një njoftim të mëhershëm të Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror thuhet se përfshirja e Agjencisë në ligjin për paga është në kundërshtim me praktikat e Komisionit Evropian për pavarësinë e Agjencive që menaxhojnë trafikun ajror, kur dihet mirëfilli së të hyrat e tyre gjenerohen  nga shërbimet e navigimit ajror që u ofrohen kompanive ajrore.

Po ashtu, thuhet se përfshirja në Ligjin e Pagave bie ndesh edhe me Nenin 5.5 të Ligjit për Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, ku theksohet se ASHNA ka kapacitet të plotë juridik dhe vepron si ofrues i shërbimeve jofitimprurëse, i cili mbulon shpenzimet dhe bazohet në performancë.

***

Shoqata Sindikale e kontrollerëve të trafikut ajror, sot kanë mbajtur grevë një orëshe për shkak të pakënaqësive të përfshirjes së këtij institucioni në ligjin për pagat.

Për nesër kjo sindikatë ka paralajmëruar se do të mbajë grevë 4 orëshe, për të vazhduar pastaj për ditën e premte nga ora 8:00 deri në ora 16:00, ditën e shtune nga ora 8:00 deri në ora 20:00.

Greva do të pezullohet të dielën për shkak të pavarësisë së Kosovës për të vazhduar të hënën me grevë 24 orëshe.

Artan Hasani, kryetari i sindikatës së kontrollorëve ajror, ka thënë se greva e tyre do të sjellë probleme të mëdha në trafikun ajror.

"Me miratimin e ligjit për paga neve si Agjenci na cenohet autonomia e institucioneve dhe ne jemi shprehur kundër këtij ligji", tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë kohës së grevës, shërbime do të ofrohen vetëm për fluturimet ushtarake, ambulantore, shtetërore dhe atyre emergjente.

Po ashtu, ai ka ftuar presidentin që të mos e dekretojë ligjin për paga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat