Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë, Kryetari Albin Kurti dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, pritën në takim diplomatin norvegjez, Kai Eide, dhe përfaqësuesen e Qendrës Norvegjeze për Zgjidhjen e Konflikteve, Siri Skare. Mysafirët nga Norvegjia ishin të interesuar të mësonin më shumë mbi situatën në Kosovë dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje! në lidhje me negociatat Kosovë-Serbi.
Kryetari Kurti shpjegoi planin me katër hapa të Lëvizjes Vetëvendosje! në lidhje me dialogun: (1) vlerësimin në Kuvend të 33 marrëveshjeve të arritura në periudhën 2011-2017, (2) shtrimin e kërkesave tona ndaj Serbisë si borxhli i yni, (3) hartimin e platformës me parimet e negociatave, dhe (4) ngritjen e ekipit negociator me udhëheqje kredibile.
Ai më tej shtjelloi mënyrën se si Thaçi dhe Vuçiq janë kthyer në pushtetarë autoritarë dhe anakronikë, duke i përngjarë gjithnjë e më shumë feudalëve që bënin pazare të fshehta me territore.
Palët u dakorduan që t’i zhvillojnë më tej kontaktet edhe në të ardhmen.