Haradinaj: Presidenti nuk është zëdhënës i Amerikës

Aktuale

Haradinaj: Presidenti nuk është zëdhënës i Amerikës

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 09:08
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Pasi presidenti deklaroi qëndrimin e tij pro pezullimit të taksës, meqë sipas tij, kjo situatë mund të prishë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se askush nuk është zëdhënës i Amerikës, andaj sipas tij nuk kanë nevojë të flasin për ta. Këtë, shefi i ekzekutivit e tha pas takimit që pati me krerët e institucioneve dhe delegacionin shtetëror për bisedimet me Serbinë, ku i dhanë dritën e gjelbër dokumentit të hartuar për dialogun.

Platforma për dialogun votohet sot nga ekipi negociator, dhe nesër i dorëzohet Kuvendit të Kosovës.

Në Kuvendin e Kosovës janë takuar sot në mëngjes edhe njëherë, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe delegacioni shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi.

Këta të fundit kanë marrë pajtimin e krerëve të tre institucioneve lidhur me platformën që e kanë hartuar për dialog.

I pari nga takimi ka dalur kryeministri. I pyetur për deklarimet e presidentit se po rrezikohen marrëdhëniet me aleatin kryesor, shefi i qeverisë tha se nuk pse të flasë askush në emër të Amerikës.

Haradinaj: Presidenti nuk është zëdhënës i Amerikës

“Amerika flet vet, as presidenti, as unë as dikush tjetër nuk është zëdhënës i Amerikës, nuk kanë nevojë me folë për ta, ata flasin vet, dinë me folë i shpjegojnë gjërat”, tha ai.

Pas takimit, Haradinaj tha se tema ishte vetëm platforma, dhe që nuk ka diskutuar për taksën apo çështje të tjera.

Sipas tij, platforma është një dokument i qëndrueshëm, i parimeve që ka Kosova në dialog dhe mbron Kushtetutën e vendit.

Haradinaj: Platforma është garancë për Kosovën

“Platforma është një dokument i qëndrueshëm, buron nga Kushtetuta, mbron Kushtetutën, i obligohet çdo etape, procesi i obligohet kushtetutshmërisë, mendoj që është një garancë e mirë për Kosovën platforma, ashtu siç është edhe delegacioni, besoj që Parlamenti e ka mundësinë me ecë me tutje mjaft me siguri në këtë proces”, tha ai.

Ai tha që beson se do të ketë konsulta edhe me partitë opozitare. Sipas tij, nëse Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk marrin pjesë direkt në delegacion, ata mund të japin kontributin e tyre duke e përkrahur apo duke dhënë mendime për platformën.

Se platforma do të gjejë mbështetje nga të gjitha forcat politike, beson edhe bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj.

Pas takimit, ai ka konfirmuar që platforma ka marrë formën finale dhe do të votohet sot në orën 03:00.

Limaj bëri të ditur që nesër dokumenti do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës.

Limaj: Me disa sugjerime, platforma është mbështetur në tërësi nga krerët e institucioneve

“Në tërësi është mbështetur, ka pas dy tre sugjerime shumë të rëndësishme të cilat do t’i inkorporojmë, por në tërësi është mbështetë. Në orën 03:00 delegacioni shtetëror sipas procedurës duhet ta miratojë dhe nesër do ta dërgojmë në Parlamentin e Kosovës....Platforma paraqet unifikimin e qëndrimit të institucioneve dhe delegacionit shtetëror në raport me pozicionin e Kosovës në bisedimet, ose dialogun për njohje me Serbinë. Shpresojmë që edhe Parlamenti i Kosovës me sugjerime dhe debat do të kontribuojë në këtë platformë e edhe Parlamenti t’i jap dritën e gjelbër dhe kështu mund të themi tani që përfundimisht ne kemi një pozicion zyrtar te të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me dialogun për njohje me Serbinë”, tha ai.

Kjo pajtueshmëri mes krerëve të institucioneve dhe delegacionit shtetëror u arrit pas shumë takimeve të mbyllura që i zhvilluan ditët e fundit krerët institucional dhe ekipi negociator.

Haradinaj flet pas takimit

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është deklaruar për media pas daljes nga takimi që pati me përfaqësuesit e tjerë të vendit lidhur me platformën e dialogut Kosovë-Serbi.

Me këtë rast Haradinaj tha se përfundimisht ka një dakordim për platformën e Kosovës  në dialog dhe tani procedurat tjera janë që kanë qenë në fillim nga vetë delegacioni shtetëror që të mund t’i kalojnë parlamentit.

“Mendoj se platforma është dokument i qëndrueshëm, i parimeve dhe qëllimeve që ka Kosova në dialog, buron nga Kushtetuta, e mbron Kushtetutën dhe i obligohet çdo etape të procesit i obligohet kushtetutshmërisë, mendoj se është një garancë mirë platforma ashtu siç është edhe delegacioni”, ka thënë Haradinaj.

Tutje Haradinaj është pyetur nëse në këtë takim ka qenë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe nëse i është dhënë përkrahje edhe nga ana e tij, ku ka shtuar se mund të flasë për veten.

“Ajo që sot ishte me rëndësi, ishte vetë platforma dhe mendoj se është dokument i qëndrueshëm. Pra unë po flas për vete, i dhashë përkrahje platformës. Dje kam pas mundësinë të bisedoj edhe me grupin parlamentar të AAK-së.Me siguri se do të mbajmë konsulta edhe me liderë të tjerë politikë, edhe opozitar sa i përket kësaj teme, është nacionale. Edhe nëse LDK e Vetëvendosje nuk marrin pjesë direkte në delegacion, besoj se mund të japin kontributin e vetë qoftë duke përkrahë atë apo qoftë duke dhënë mendimet e tyre për platformën”, ka shtuar Haradinaj.

“Pjesëmarrja në këto takime ka pas rëndësi përkrahja për platformën për dialog e cila i jep Kosovës një platformë të qëndrueshme që i obligohet Kushtetutës, pra në këto takime për këtë temë vijmë, tjerat tema i kemi biseduar shumë herë nuk i kisha përzi temat, pra tema në këtë rast është obligim nacional”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ai poashtu u pyet për deklaratën e presidentit Thaçi, ku tha se mospezullimi i taksës dëmton raportet me Amerikën. Me këtë rast Haradinaj tha se Amerika flet vet dhe se askush nuk është zëdhënës i Amerikës.

“Amerika flet vetë, as presidenti as unë as askush nuk është zëdhënës i Amerikës nuk kanë nevojë askush të flasë për ta, ata flasin vetë dinë të falsin i shpjegojnë gjanat”, ka përfunduar Haradinaj.

Taksa i mbledhë sërish liderët e shtetit 

Liderët e vendit janë duke mbajtur takimin e radhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, ku temë e takimit pritet të jenë dialogu dhe taksa 100% ndaj mallrave serbe.

Në takim po marrin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe partnerët e koalicionit, Ramush Haradinaj i AAK-së, Kadri Veseli i PDK-së, Fatmir Limaj i Nismës Socialdemokrate dhe Behgjet Pacolli i AKR-së.

Ndërkohë, në mesditë do të mblidhet ekipi negociator, ku pritet të votojnë për platformën e dialogut me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat