‘Progresi në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i nevojshëm’

Aktuale

‘Progresi në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është i nevojshëm’

Më: 14 shkurt 2019 Në ora: 13:14
Memli Krasniqi dhe Tonino Picula

Progresi në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që palët të arrijnë një marrëveshje ligjore të detyrueshme përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët nga bashkëkryesuesit e KPSA-së BE-Kosovë, pas takimit të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës dhe atyre të Parlamentit Evropian sot në Strasburg.

Takimi, i bashkëkryesuar nga Memli Krasniqi dhe Tonino Picula, u shënua me diskutime gjithëpërfshirëse dhe të frytshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, duke përfshirë zbatimin e MSA BE-Kosovë, procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Në takim u diskutuan edhe çështje që kanë të bëjnë me gjendjen sociale dhe ekonomike në Kosovë, si dhe procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të rregullt.

Ndërsa sa i përket taksave të vendosura ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, anëtarët kishin pikëpamje të ndryshme.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, anëtarët përsëritën se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet e saj dhe se vendimet nga institucionet përkatëse të BE-së duhet të merren pa vonesë.

Bashkëkryesuesit i mirëpriten diskutimet e hapura për të gjitha çështjet në agjendë dhe shprehën zotimet e tyre për të vazhduar marrëdhënie shumë të mira ndërmjet të dy Parlamenteve. Ndryshe, takimi i shtatë KPSA BE-Kosovë mbahet në Prishtinë, më 28-29 tetor 2019. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat