Pas platformës, Limaj thotë se edhe për taksën do të kenë qëndrim unik

Aktuale

Pas platformës, Limaj thotë se edhe për taksën do të kenë qëndrim unik

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 07:14
Kadri Veseli, Shpend Ahmeti, Fatmir Limaj

(E plotësuar) - Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar i vendosur në mbajtjen në fuqi të vendimit për taksën, Kadri Veseli e Fatmir Limaj besojnë në një qëndrim unik të koalicionit qeveritar. Sipas tyre, duhet të ketë vendimmarrje unike, e cila do të kapërcente pengesat për dialogun dhe do të ruante marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pasi pajtimit që patën krerët institucional dhe delegacioni shtetëror për platformën për dialog, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj pret që një të tillë ta kenë edhe për çështjen e taksës.

Në këtë kohë kur shefi i tij është shprehur i palëkundur për vendimin e taksës 100% për produktet e Serbisë, Fatmir Limaj tha se këndvështrimet e ndryshme do të përafrohen dhe koalicioni do të dalë me qëndrim unik.

Sipas tij, një qëndrim unik synon interesat e vendit, kapërcimin e pengesës për dialogun dhe ruajtjen e partneritetit me miqtë.

Limaj: Do të kemi qëndrim unik edhe për taksën

“Jam i bindur, nuk kam asnjë dilemë që edhe për taksën do të ketë një vendim unik, shtetëror i cili do t’i jap hapësire e mundësi dialogut të ardhshëm për njohje, me Serbinë. Në kapacitetin e bashkëdrejtuesit të delegacionit shtetëror, ne kemi ftuar vazhdimisht drejtuesit e institucioneve, kolegët tanë partiak, që të punojmë të gjithë bashkë për t’i dhënë hapësirë që delegacioni shtetëror të kryejë punën për çka është zgjedhur, të shkojmë drejt në dialog, ajo është tema kryesore. Besoj do të kemi qëndrimin unik i cili përfundimisht do t’i jap mundësi dialogut me Serbinë, dhe ruajtjen e partneritetit strategjik me ShBA-të, të cilët kemi nevojë më shumë se kurrë partnerët tanë të na përcjellin në çdo hap drejt arritjes së mundshme të asaj marrëveshje për njohjen e Kosovës”, tha ai.

Ai tha se taksa është një vendim shtetëror i Republikës së Kosovës ku partnerët e koalicionit kanë marrë një vendim të përbashkët shtetëror.

Kurse, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se vendimmarrja do të jetë unike, duke theksuar që Amerika do të jetë partner i përhershëm i Republikës së Kosovës.

Veseli: Nuk kemi nevojë me u tregu dikush më i fortë dikush më i dobët, vendimmarrja të jetë unike

“Vendimmarrja do të jetë, siç e tha bashkëkryesuesi i delegacionit, të jetë unike, nuk kemi nevojë me u tregu dikush hero e dikush viktimë, nuk kemi nevojë me u tregu dikush më i fortë dikush më i dobët, sepse ka vetëm një të fortë dhe ka një fitimtar, Kosova, dhe në këtë nuk e kemi njet me heq dorë, nuk kemi kurrfarë zori dy dekada pas lirie jemi duke ecë përpara. Por, ShBA është partner i përjetshëm i Kosovës, edhe në të mirë edhe në të keq”, tha ai.

Ai tha që ka kërkuar pezullim të përkohshëm të taksës, meqë sipas tij, kjo do të mbante afër ShBA-të dhe Bashkimin e Evropian.

Veseli: Pezullimi i taksës na mban afër me ShBA dhe Bashkimin Evropian

“E kam propozuar një pezullim të përkohshëm se e mban Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian afër, nuk e lë shumë me u afru me Serbinë. E kam propozuar sepse është në të mirë ne vendit dhe interes strategjik. Ku është Kosova do  të jetë edhe Amerika, dhe PDK, do të jetë vetëm aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Për taksën, para gazetarëve u përgjigjën pasi delegacioni shtetëror i dorëzoi platformën për dialog kryetarit të Kuvendit.

Krerët institucional dje përfundimisht janë pajtuar rreth dokumentit të platformës për dialogun me Serbinë, por ende kanë qëndrime të ndryshme rreth taksës, ku kryeministri ka deklaruar se ajo mund të hiqet vetëm kur Serbia të njoh Kosovën.

Ahmeti, Veseli e Limaj njëzëri: Kufijtë e Republikës së Kosovës nuk preken, nga ky dialog duam njohjen nga Serbia

Delegacioni shtetëror për bisedimet me Serbinë i ka dorëzuar sot kryetarit të Kuvendit platformën e hartuar për dialog. Pas takimit, u tha se platforma garanton sovranitet të plotë të Republikës së Kosovës, dhe gjithashtu garanton që nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive. Ditëve në vijim, deputetëve të Kuvendit do t’u kërkohet që ta mbështesin dokumentin në mënyrë që ekipi negociator të mund të zbatojë atë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pasi pranoi platformën nga delegacioni shtetëror, tha se e njëjta garanton integritet të plotë të shtetit të pavarur të Kosovës.

Veseli: Platforma garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive

“Kjo është baza e cila do t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, e cila nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran, dhe njëjtën kohë garanton që nuk do të ketë asociacion, me kompetenca ekzekutive apo pushtet të tretë apo Republikë Serbe në Republikën e Kosovës. Njëjtën kohë garanton përgjegjësitë që ka shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës, reciprocitet për vëllezërit tanë që t’i ruajmë të drejtat  e shqiptarëve në Republikën e Serbisë”, tha ai.

Veseli tha që do të miratojnë platformën, por që vendimmarrjen për marrëveshjen finale me Serbinë, do ta kenë qytetarët e Kosovës për mes referendumit që do të mbahet.

Ndërsa bashkë-kryesuesi i ekipit negociator, Fatmir Limaj pret që rreth kësaj platforme të bashkohen të gjithë.

Limaj: Përmes kësaj platforme tregohet qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës

“Kosova është e gatshme dhe formalisht të nënshkruaj një marrëveshje me Republikën e Serbisë për të filluar nga këtu e tutje respektin, zhvillimin e marrëdhënieve, komunikimin, bashkëpunimin aq sa kanë vullnet dy vendet, të paktën një sjellje korrekte ndaj njëri tjetrit, një respekt ndaj njëri tjetrit. Pres që rreth kësaj platforme, të bashkohemi të gjithë dhe kështu t’i ipet një fuqi dhe një përkushtim të Republikës së Kosovës që ne jemi për paqe, jemi për marrëveshje, jemi për respekt të dy vendeve tona. Kërkojmë, pasi që kemi marrë mbështetjen nga drejtuesit e shtetit, shpresojmë edhe nga Parlamenti i Kosovës, që përfundimisht ky është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës, dhe platforma do të jetë referenca jonë”, tha ai.

Shpend Ahmeti, bashkë-kryesues në delegacion, tha se platforma bazohet e tëra në Kushtetutën e Kosovës.

Ai tha se Kushtetuta do të mbrohet edhe në dialogun me Serbinë.

Ahmeti: Platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës

“Platforma bazohet komplet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke cituar nene nga Kushtetuta, sa i përket sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, të cilat janë të pacenueshme siç e thotë edhe Kushtetuta, dhe është obligim i të gjitha organeve të Republikës së Kosovës që atë Kushtetutë ta mbrojmë në çdo forum, edhe në dialog me Serbinë. Nuk ka rend të tretë të qeverisjes në Kosovë përveç atij qendror dhe lokal....Në platformë si parim është e potencuar që resurset që janë në Republikën e Kosovës janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës dhe është vendim sovran i Republikës së Kosovës, shfrytëzimi i tyre”, tha ai.

Pas takimit,  u tha se përmes parimeve që janë vendosur në platformë, është bërë e qartë cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës karshi fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Delegacioni shtetëror për bisedime me Serbinë, i ka dorëzuar sot platformën për dialog kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Kadri Veseli, tha se dokumenti nënkupton integritet të plotë, sovranitet të plotë, dhe garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

"Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet më OKB, viti kur Kosova do të udhëtojë pa viza", tha ai.

" Kjo (platformë) nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë, garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive, garanton përgjegjësitë qe ka shteti sovran i Kosovës. Kuvendi do ta shqyrtojë në afatin sa me të shpejtë. Do ta miratojmë këtë platformë. Ndërsa fjalën finale, për marrëveshjen finale do ta kenë qytetarët e Kosovës", tha ai.

Ndërsa bashkëkyresuesi i delegacionit shtetëror për besime Shpend Ahmeti, tha se sot është i qartë qëndrimi zyrtar i Kosovës për dialogun me Serbinë.

 "Sot i japim fund spekulimeve se çka ka kjo platformë. E kemi bërë të qartë cili është qëndrimi zyrtar i Kosovës karshi fazës së dialogut. Platforma bazohet komplet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”,  tha Ahmeti.

"Këtë dialog po e quajmë dialog për njohje, ky është parimi i parë", shtoi ai.

Fatmir Limaj u bëri thirrje deputetëve që ta shqyrtojnë dokumentin, në mënyrë që delegacionit t'i jepet mandat.

"Të gjithë duhet ta kenë të qartë që Kosova shkon në Bruksel për njohje, për asgjë tjetër", tha ai.

"Kosova është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje finale me Serbinë. Pres që rreth kësaj platforme të bashkohemi të gjithë", shtoi ai.

Image

Dorëzohet në Kuvend platforma për Dialogun

as dorëzimit të Platformës, në Kuvendin e Kosovës, për dialogun me Serbinë, ka folur kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili ka thënë se nga ajo platformë garantohet integriteti dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës, duke e bërë të qartë se në platformë nuk është përfshirë ideja për korrigjimin e kufijve

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe përfaqësuesi i ekipit të unitetit, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se e gjithë platforma është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës do të respektohen ashtu siç thuhet në Kushtetutë.

“Viti 2019 është viti kur Kosova do të anëtarësohet në OKB, është viti që Kosovës do t’i hapet rruga drejt NATO-s, viti i liberalizimit të vizave, dhe viti i integrimit në BE. Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve me Serbinë. Kjo është baza që do ti propozohet Kuvendit. Garanton integritet të plotë të shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Nuk do të ketë Asociacion. Garanton edhe përgjegjësitë që ka shteti i jonë, për vëllezërit tanë shqiptarë në Serbi, që t’iu respektohet të drejtat e tyre”, ka thënë Veseli.

Veseli megjithatë thotë se fjalën përfundimtare për marrëveshjen me Serbinë do ta thonë qytetarët përmes Referendumit.

“Në do të miratojmë këtë platformë, ndërsa vendimmarrjen për marrëveshjen finale, do ta keni ju vetë me referendumin që do ta kemi në Republikën e Kosovës”, ka shtuar Veseli.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje partive opozitare që t’i bashkohen procesit të fazës finale të dialogut me Serbinë.

 E kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se të gjitha parimet e platformës janë të mbështetura në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Sot i japim fund spekulimeve se çfarë bëhet fjalë në këtë platformë. Në këto 11 parime, e kemi bërë të qartë se cili është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës nëse aprovohet nga Kuvendi, karshi marrëveshjes finale me Serbinë. Platforma bazohet plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, sa i përket sovranitetit dhe integritet territorial të Republikës së Kosovës. Dhe këtë do ta ruajmë”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se në platformë është përmendur edhe puna e resurseve të Republikës së Kosovës, që sipas platformës, ato janë e drejtë ekskluzive të Republikës së Kosovës.

“Resurset që janë në Republikën e Kosovës, janë e drejtë ekskluzive e Republikës së Kosovës dhe është e drejtë e Kosovës që t’i shfrytëzoje ato”, ka shtuar Ahmeti.

Ai thotë se nuk do të shkojnë në dialog, nëse nuk do të ketë si përfundim njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Ne nuk shkojmë në këtë dialog, nëse mendojmë që përfundimi i këtij dialogu është më pak se njohje. Nëse nuk ka njohje, atëherë asnjë pikë e marrëveshjes nuk është valide”, ka thënë ndër të tjera Ahmeti.

Edhe Fatmir Limaj ka thënë se në këtë platformë do të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës, dhe se nuk do të ketë që në atë dokument pretendime që Kosova ka karshi shteteve tjera.

Image

Veseli: Platforma për dialog nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur në takim bashkëkryesuesit e delegacionit shtetëror për dialog, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Pas takimit, ai ka thënë se platforma për dialogun që do t’i dorëzohet Kuvendit synon marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

I pari i Kuvendit theksoi se kjo platformë nënkupton sovranitet dhe integritet të plotë, si dhe garanton që nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive, transmeton Indeksonline.

“Sot delegacioni shtetëror ka dorëzuar platformën për dialogun për marrëveshjen finale, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo platform nënkupton sovranitet të plotë, integritet të plotë dhe të njëjtë kohë garanton se nuk do të këtë asociacion me kompetenca ekzekutive apo Republikë Serbe brenda Kosovës. Është bazë e mirë, Kuvendi do ta shqyrtoj në afat sa më të shpejtë, në mënyrë të transparente. PËrmes saj, do të arrijmë një marrëveshje përfundimtare që i hap prespektivë vendit tonë. E përgëzoj delegacionin për punën e mirë në shërbim të vendit dhe qytetarëve”, ka thënë Veseli.

Derisa ai i ka bërë thirrje partive të opozitës që t’i bashkëngjitën delegacionit për dialog.

Ekipi negociator në Kuvend, pritet t’i dorëzojë Platformën Veselit 

Ekipi negociator ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës për t’i dorëzuar kryeparlamentarit Kadri Veseli platformën për dialogun me Serbinë.

Draft-platforma e hartuar nga delegacioni i Kosovës thotë se sovraniteti i Kosovës është i padiskutueshëm .

Kjo Platformë përcakton parimet dhe qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut.

Ajo synohet arritja e konsensusit sa më të gjerë politik dhe shoqëror në procesin e dialogut me Serbinë.

Në këtë draft-dokument thuhet se qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme.

Më tej thuhet se Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme duhet të jetë e qartë dhe pa dykuptimësi.

“Përvoja tregon se qasja e dykuptimёsisё konstruktive ka rezultuar në zbatimin asimetrik të marrëveshjeve të arritura deri më tani”.

“Çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila parasheh që ‘sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj’”

Platforma dërgohet në Kuvend 

Ekipi negociator po dorëzon në Kuvendin e Kosovës platformën për dialogun me Serbinë.

Bashkëkryesuesit Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë thënë se platforma do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në dialog.

Ndërsa, sa i përket linjave të kuqe që përmban platforma, bashkëkryesuesit e ekipit negociator kanë pohuar se ajo buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe nuk do të dilet prej saj.

Platforma dërgohet në Kuvend

Ekipi negociator sot do ta dërgojë platformën për dialogun me Serbinë në Kuvendin e Kosovës.

Bashkëkryesuesit Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kanë thënë se platforma do të paraqesë qëndrimin e vetëm zyrtar të Kosovës në dialog.

Ahmeti ka thënë se platforma do të jetë tërësisht e bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe shpreson që javën e ardhshme të mbahet seanca plenare për të dhe të ketë diskutime të mirëfillta në Kuvend.

Ai ka shtuar se Ekipi negociator për dialogun në Bruksel do të hapë edhe temat që më herët nuk janë diskutuar si krimet e luftës, dëmshpërblimi dhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Ndërsa, Limaj ka potencuar se në platformë janë përfshirë të gjitha shqetësimet dhe ndjeshmëritë që kanë mbuluar deri më tash procesin e dialogut.

“Platforma është e bazuar në Kushtetutë, Deklaratën e Pavarësisë dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, sa i përket linjave të kuqe që përmban platforma, bashkëkryesuesit e ekipit negociator kanë pohuar se ajo buron nga Kushtetuta e Kosovës dhe nuk do të dilet prej saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat