VV: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen Kosovës

Aktuale

VV: Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkohen Kosovës

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 11:54
Rexhep Selimi

(E plotësuar) - Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të bëjnë lëshime nga rruga e tyre e drejtë, por duhet ta shfrytëzojnë faktin se e procesit të integrimit të Serbisë në BE, duke kushtëzuar bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me Kosovën e bashkuar.

Selimi ka thënë se gjendja e shqiptarëve në Kosovën Lindore mbetet e nderë, pa zgjidhje dhe shumë herë e manipuluar nga forcat politike shqiptare.

Ai ka thënë se të gjithë mekanizmat diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë janë pezulluar nga revanshi i Thaçit dhe nuk po merren me kritikat zyrtare ndaj Serbisë për kapitujt 23 dhe 24 kushtëzuar nga BE-ja, që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë, të drejtat e pakicave kombëtare dhe krimet e luftës.

“Këtu nuk përjashtohet edhe kapitulli 35, që ka të bëjë me Kosovën. Ndërkohë, aktualisht Serbia vepron në mënyrë të organizuar drejt zmbrasjes së heshtur të luginës së Preshevës nga shqiptarët. Në këtë vit po bëhen 20 vite prej masakrave që shteti serb ka kryer anëkend Kosovës dhe nuk gjendet aktualisht asnjë i dënuar apo i hetuar për krime lufte lidhur me këto masakra. Edhe një që ishte për rastin e krimeve në Podujevë u lirua pa përfunduar dënimin vitin që shkoi nga gjykata”, ka thënë ai.

Deputeti Selimi kujtoi edhe vizitën e Ramës në Preshevë para disa vitesh për të vënë në pah faktin se personat që kishin ngritur flamujt kombëtar shqiptar gjatë vizitës ishin arrestuar menjëherë pas largimit të kryeministrit të Shqipërisë, duke qenë se flamujt kombëtarë shqiptarë janë të ndaluar në këtë rajon.

Sipas tij, qasja e Serbisë nuk ka ndryshuar as ndaj krimeve kundra Kosovës as ndaj shtypjes mbi shqiptarët e luginës.

Deputeti Selimi përsëriti qëndrimin e Lëvizjes për Kosovën Lindore duke thënë se nuk duhet të harrojmë se atje ka ndodhur një referendum në vitin 1992, i cili do të duhej të respektohej dhe të ishte bazë për të avancuar të drejtat e tyre deri në të drejtën për bashkimin me Kosovën.

“Po ashtu, ka pasur një deklaratë të udhëheqësve politik shqiptarë të këtyre komunave në vitin 2006 në të njëjtën frymë dhe për të njëjtën gjë si referendumi i vitit 1992. Pra, çfarë duhet të ndodhë? Po, duhet të ndodhë bashkimi i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por me Kosovën e bashkuar. Pra, bashkimi i tyre nuk do të duhej ta kishte çmimin e ndarjes së Kosovës, por një Kosovë e bashkuar do të duhej të ishte mikpritësja e bashkimi edhe të atyre tri komunave shqiptare si rrugë dhe hap i domosdoshëm drejt bashkimit kombëtar. Ky nuk është momenti që shqiptarët të bëjnë lëshime nga rruga e tyre e drejtë, por ta shfrytëzojnë faktin se e kemi në dorë procesin e integrimit të Serbisë në BE. Kjo mundësi duhet shfrytëzuar për ta kushtëzuar Serbinë dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e shqiptarëve të Luginës. Integrimi i Serbisë në BE duhet të kushtëzohet të drejtat e shqiptarëve të Luginës dhe jo të manipulohen shqiptarët e asaj ane që Serbia të integrohet”, ka thënë ai./

Selimi kërkon bashkim me Preshevën: Thaçi po manipulon me këtë temë

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se bashkimi me Luginën e Preshevës duhet të ndodh por pa e rrezikuar sovranitetin dhe territorin e Kosovës.

Ai këto komente i bëri në një konferencë të mbajtur për media duke shtuar se Presidenti Hashim Thaçi është duke u munduar që të manipulojë me temën e Luginës së Preshevës vetëm për të krijuar diskurs për ndarjen e Kosovës.

“Gjendja e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, mbetet faktorë i pakryer nga ana e Serbisë. Tashmë dihet se Serbia nuk ka bërë asgjë për përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Shqiptarët e këtyre tre komunave janë në gjendje të rëndë. Deri më tani Presidenti Thaçi e ka përgatitur një rezolutë për ta sjellë në Kuvend dhe që ka të bëjë për Shqiptarët që jetojnë në këto tre komuna”.

“Mos të harrojmë që ka pasur edhe rezoluta tjera që janë miratuar në Kuvend për këtë çështje por deri më tani nuk është zbatuar asgjë. Flitet në ndërkohë për bashkimin e kësaj zone, por flitet në kuadër të planit të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e papranueshme dhe e rrezikshme”.

“Pavarësisht kontakteve të shpeshta midis Qeverisë apo Presidencës me përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës, deri më tani asnjë marrëveshje nuk ekziston. Nuk ekziston ndonjë marrëveshje me shkrim”.

“Në asnjëherë nuk kemi arrit ta kushtëzojnë Serbinë për t’i respektuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë atje. Prandaj nuk e di se si do të mund ta detyrojnë Serbinë që të heq dorë nga këto tre komuna”.

“Pikërisht ata që i shkelin të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, po garantojnë se po i respektojnë të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Duhet të theksojmë se flamuri shqiptar kombëtarë është i ndaluar që të përdoret atje. Një ditë pas vizitës së Presidentit Rama atje, janë arrestuar të gjithë organizatorët që kanë mbajtur flamuj kombëtarë”.

“Mos të harrojmë se atje ka ndodhur një referendum në vitin 1992 dhe ai referendum do të duhej të respektohej. Duhet të ndodhë bashkimi i tre komunave, por me Kosovën e Bashkuar. Ne duhet ta kuptojmë se integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian, shqiptarët e kanë në dorë”.

“Presidenti Thaçi jo rrallë herë ka manipuluar me çështjen e Luginës së Preshevës. Kjo thjeshtë ka të bëj me krijimin e një diskursi për ta prezantuar veten si një njeri të interesuar. Kjo është vetëm një karrem për të realizuar ndarjen e Kosovës. Thaçi është duke manipuluar dhe jo duke u munduar që ta zgjidhë problemin në Luginën e Preshevës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat