Limaj: Ta kenë të qartë të gjithë, në Bruksel shkojmë për njohje, asgjë tjetër

Aktuale

Limaj: Ta kenë të qartë të gjithë, në Bruksel shkojmë për njohje, asgjë tjetër

Më: 15 shkurt 2019 Në ora: 12:49
Fatmir Limaj

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator për dialogun me Serbinë, Fatmir Limaj ka thënë se sot ky delegacion ka kryer pjesën e parë të punës, duke dorëzuar në Kuvend platformën finale.

Ai në një konferencë të përbashkët me Kadri Veselin dhe Shpend Ahmetin, ka thënë se shpreson që Kuvendi t’i jap komisionit mandat për dialogun.

“Si do të shihni në platformë, ajo është drejtuar me respekt të dy shteteve, në asnjë parim nuk do të shihni pretendime të Kosovës në raport me fqinjin, parimet do të jenë baza themelore për marrëdhënie respektive. Parimet janë ato të cilat garantojnë se do të ndërtojmë paqe, komunikim mes vendeve, prandaj ne jemi kujdesur të respektojmë interesat e shtetit fqinj”, ka theksuar Limaj.

Sipas tij, të gjithë ta kenë të qartë qëllimin përfundimtar të ekipit nga Kosova.

“Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Kosova shkon në Bruksel për njohje, e asgjë tjetër. Brenda njohjes së Republikës së Kosovës, krijohen parakushtet për rrugëtimin tonë strategjik, për parimet tona, duke trajtuar tema me interes të përbashkët, garantojmë një marrëveshje të qëndrueshme”, ka thënë tutje Limaj.

Ai ka vlerësuar se duke hapur tema të paprekura akoma deri tani, i mbyllin çështjet e hapura deri më tani.

“Duke adresuar dhe duke iu përgjigjur zërave shqetësues të dy vendeve, sigurojmë të ardhmen e dy vendeve tona. Apeli ynë është që presim nga Serbia t’i kthehet realitetit dhe ta pranoj ashtu sic e pranon Kosova dhe të ndryshohet diskursi publik në Serbi, e që besoj se platforma do të mundësoj një gjë të tillë”, ka shtuar Limaj.

Sipas tij, Kosova është e gatshme të nënshkruaj një marrëveshje me Serbinë për respekt, komunikim dhe sjellje korrekte ndaj njëri tjetrit.

“Pres që rreth platformës të bashkohemi të gjithë dhe kështu ti jipet një fuqi dhe përkushtim Kosovës. Kemi marr mbështetje nga presidenti, kryeparlamentari dhe shpresojmë edhe nga Kuvendi, në mënyrë që Kosova të dërgoj mesazhin që kemi një zë, e që është platforma që sot iu dërgua Kuvendit”, ka përfunduar Limaj

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat