Adem Grabovci deklarohet për taksën, ky është propozimi i tij

Aktuale

Adem Grabovci deklarohet për taksën, ky është propozimi i tij

Më: 16 shkurt 2019 Në ora: 14:22
Adem Grabovci

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe ish-shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Adem Grabovci, ka thënë se taksa kundër produkteve të Serbisë e ka arritur efektin e saj ekonomik, politik dhe diplomatik, pavarësisht se një vendim i tillë nuk është analizuar ende si duhet nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka vlerësuar së një vendim i tillë është dashur të trajtohet në një rrafsh më të gjerë.

Në kontekst të reagimeve të fundit, sidomos nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Grabovci ka kërkuar nga bartësit e institucioneve shtetërore që t’i marrin parasysh këshillat e Amerikës për pezullimin e përkohshëm të taksës kundër produkteve serbe.

Grabovci ka thënë se sa herë që i kanë dëgjuar këshillat e SHBA-së, Kosova ka dal fitimtare.

Ai ka thënë se pa këshillat dhe ndihmën amerikane, Kosova as nuk do të ishte e lirë e as sovrane.

Grabovci ka theksuar me këtë rast, se nuk është patriotizëm e as mençuri nëse i thuhet jo Amerikës.


“Qysh në fillim e kam përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës si masë mbrojtëse ndaj qasjes dhe agresivitetit politik, diplomatik dhe ekonomik të shtetit serb kundër Republikës së Kosovës.
Pavarësisht kësaj, ky vendim i Qeverisë nuk është analizuar ende si duhet, pra nuk është tajtuar në rrafshin politik dhe diplomatik, sidomos në raport me miqtë ndërkombëtar, ani pse jemi shtet i pavarur, dhe vendimet shtetërore janë sovrane.

Qeveria është dashur ta ketë edhe planin B, në raport me taksën. Tani jemi në një situatë dhe rrethana tjera në raport me këtë vendim të Qeverisë. Jemi para dilemave të mëdha si shtet, duke pasur parasysh reagimet e miqve ndërkombëtarë apo aleatëve tonë.
Por, para se gjithash mendoj se taksa ndaj produkteve të Serbisë e ka arritur efektin e saj, jo vetëm ekonomik, por edhe politik dhe diplomatik. Personalisht kam qenë dhe vazhdojë të mebtem ithtar që të ketë reciprocitet të plotë me Serbinë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por në të gjitha fushat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar që të pezullohet taksa në mënyrë që t’i jepet hapësirë vazhdimit të fazës finale të dialigut. 

Jam duke i përcjell me vëmendje këshillat e mikut dhe partnerit më serioz të Kosovës, SHBA-ve. Këto këshilla, ose kërkesa të tyre duhet të jetë alarm për bartësit e insitucioneve të Kosovës. Nga përvoja që kam në jetën institucionale, sidomos atë parlamentare, sa herë që i kemi dëgjuar këshillat e Amerikës, asnjëherë nuk na ka rënë keq, përkundrazi. Nuk është as trimëri, as mençuri, e as patriotizëm t’i thuhet jo Amerikës.

Pa këshillat dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës asnjë proces nuk do të ishte në favor të Kosovës. Pasi jemi në prag të 11-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, pa ndihmën direkte të SHBA-ve, Kosova as nuk do të ishte as e lirë e as sovrane.
Pa ndihmën e Amerikës, Kosova nuk do të ishte ku është sot, pjesë e shumë mekanizmave ndërkombëtarë, dhe e njohur nga mbi 110 shtete anekënd botës.
Po ashtu, pa ndihmën e Amerikës, Kosova nuk do ta kishte ushtrinë e saj, etj. Zhvillimet pozitive në Kosovë si në rrafshin politik dhe ekonomik do të ishin të pamundura pa mikun tonë të përjetshëm, Amerikën.

Prandaj, në këto momente të gjithë bartësit e institucioneve shtetërore, por edhe partiake, duhet të mendojnë dhe veprojnë me racionalitet, duke i kthyer në vendime këshillat e SHBA-ve.

Sa herë i kemi dëgjuar këshillat e tyre, kemi dal fitimtarë. Edhe kësaj radhe nëse i dëgjojmë këshillat e SHBA-ve do të dalim fitimtarë, pasi na pret një betejë e ashpër me Serbinë në dialogun e Brukselit.

Por të jemi të qartë, SHBA-ja nuk është duke kërkuar heqjen e taksës, por pezullimin e përkohshëm të saj. Në këtë drejtimin, Kosova duhet t’i vendosë disa kushte në raport me Serbinë. Assesi nuk duhet të lejohet që Serbia të fusë në tregun e Republikës produkte të saj të cilat i referohen shtetit tonë si “Kosovo i Metohija”. Kjo nuk duhet të tolerohet. Serbia duhet t’i pranojë dhe njohë të gjitha dokumentet e mallrave, licencave, vulat dhe dokumentacionin e lëshuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës. Po ashtu, Serbia duhet të njohë barkodin dhe banderolat në produktet e Kosovës.
Në këmbim të pezullimit të taksës, Serbia duhet t’u japë fund përpjekjeve për të penguar dhe dëmtuar pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Dhe, nëse Serbia nuk implemeton këto kushte duhet të kalohet në reciprocitet të plotë

Unë nuk mund të flas në emrin e Serbisë. Por ajo çfarë po them është së ne duhet t’i marrim parasysh këshillat e aleatit tonë kryesor, dhe të kërkojmë nga Serbia që t’i plotësonte kushtet e lartëcekura, në të kundërtën do të duhej ta priste reciprorciteti në të gjitha fushat.

Serbia vazhdmisht ka bërë obstruksione, por kësaj radhe nuk do të duhej të lëshojmë pe. Në këtë drejtim, duhet të kërkojmë nga miqtë ndërkombëtarë, nga SHBA-ja dhe BE-ja që ta disiplinojë Serbinë në raport me Kosovën.

Sa i përket dialogut, Grabovci, ka bërë thirrjet për unitet në skenën politike.

“Kosova duhet të flet me një zë në dialog. Të gjithë duhet të bëhen bashkë në betejën finale të dialogut me Serbinë. Në këtë drejtim, Kuvendi i Kosovës e ka formuar ekipin shtetëror për dialog. Ky ekip do të ishte edhe më i fuqishëm sikur pjesë e tij të ishte edhe pjesa tjetër e opozitës. Në këtë drejtim, askush nuk duhet t’i frikësohet dialogut. Po ashtu, duhet të hiqen dilemat se mund të ketë marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Ne duhet t’u besojmë drejtuesve të insitucioneve të shtetit tonë. Çdokush duhet ta ketë të qartë së çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet me Serbinë, fjalën përfundimtare do ta thotë Kuvendi i Kosovës, apo madje edhe vetë qytetarët përmes referendumit të organizuar mirë dhe mbikqyrur nga mekanizma relevant si të shtetit tonë ashtu të ndërkombëtar.

Në këtë drejtim nuk është mirë të krijohet panik, por është mirë që të jemi bashkë sepse Kosova është e të gjithëve, e assesi e një formacioni politik. Për mua ajo që është me kryesorja në këtë proces, është përkrahja dhe involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat