Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shënon 11 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës - Bota Sot
Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shënon 11 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Aktuale

Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë shënon 11 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Nga: D.B Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 13:08
Shenimi i 11 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali organizoi pritje solemne për nder të përvjetorit të njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës

Në pritjen solemne të organizuar nga Ambasada ishin të pranishëm përfaqësues të shumtë të institucioneve italiane, Parlamentit italian, të korit diplomatik, mediave, bizneseve, të artit dhe kulturës, si dhe miq të shumtë nga shoqëria civile, komuniteti arbëresh, bashkatdhetarë dhe studentë kosovarë. Festa u hap me performimin e himnit kosovar dhe të atij italian.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Sh.S. Alma Lama, duke iu uruar mirëseardhje të pranishmëve foli për 17 shkurtin e vitit 2008 dhe për arritjet që ka bërë populli i Kosovës me ndihmën e jashtëzakonshme nga ana e vendeve të botës demokratike.

Ambasadorja Lama tha se ky vit është vit jubilar, sepse sivjet shënojmë edhe një ditë tjetër të madhe në historinë tonë, 20-vjetorin e çlirimit. Ajo rikujtoi pranverën e vitit 2019 në Kosovë, me ç ‘rast do të përkujtojmë dhe falënderojmë nga zemra shtetet e NATO-s për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë, me qëllim për të ndalur gjenocidin që bëhej në dyert e Evropës.

Duhet theksuar se “përgjatë këtyre viteve shteti i Kosovës ka ecur me hapa gjigandë. Jemi të lumtur që më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së na kanë njohur dhe se këto shtete janë shndërruar në miq dhe përkrahës të Kosovës. Viti 2018 do të shënohet në historinë e Kosovës gjithashtu edhe si viti i ushtrisë, këtij komponenti fondamental shtetëror. Me krijimin e ushtrisë u plotësua mozaiku i shtet ndërtimit dhe tashmë Kosova ka të gjitha institucionet shtetërore demokratike”.

Ambasadorja Lama shfrytëzoj rastin të falënderojë Republikën Italiane për mbështetjen që na ka dhënë në të gjitha proceset ndërkombëtare. I njëjti falënderim shkon edhe Maltën dhe San Marinon, u shpreh ajo, si dhe per te gjitha vendet e tjera mike.

Në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve, ambasadorja Lama tha se “ndihem jashtëzakonisht e nderuar që mu dha mundësia të përfaqësoj Republikën e Kosovës në një shtet mik dhe të rëndësishëm siç është Italia. Këto dy vite të misionit tim kanë qenë jashtëzakonisht dinamike dhe jam falënderuese për bashkëpunimin që kam gjetur tek institucionet italiane, si Ministria e Punëve të Jashtme, dhe institucionet tjera e sidomos Parlamenti. Kemi realizuar shumë vizita të nivelit të lartë zyrtar si dhe marrëdhëniet institucionale me shtetin italian janë ngritur në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimi. Për herë të parë, është krijuar grupi i miqësisë në Parlamentin italian Itali-Kosovë me 45 senatorë dhe deputetë, që na ka ndihmuar në forcimin e raporteve midis dy Parlamenteve tona dhe në dëgjimin e zërit të Kosovës brenda Parlamentit italian, dhe me këtë rast dua të falenderoj veçanërisht ish-senatorin Aldo di Biagio, për ndihmën e çmuar”.

Ambasadorja Lama informoi të pranishmit se me iniciativë të Ambasadës është themeluar Oda Ekonomike Itali-Kosovë dhe jemi shumë të nderuar që fillimisht e udhëhoqi një personalitet i shquar, ish ministri i Jashtëm i Italisë, Amb. Giulio Terzi di Sant’Agata dhe aktualisht po udhëhiqet nga një senator i shquar, mik i Kosovës, Aldo di Biagio.

“Jam e lumtur gjithashtu se kur të largohem nga Italia, numri i miqve të Kosovës, që praktikisht jeni edhe ju që jeni të pranishëm sonte dhe shumë të tjerë që nuk kanë mundur të vijnë sonte, do të jetë shumë më i madh. Dua të falënderoj gjithashtu Italinë dhe qytetarët italiane për humanizmin, mikpritjen dhe bujarinë e treguar për qytetarët e Kosovës, që ndihen si në shtëpinë e tyre”.

Në fund të fjalimit, ambasadorja Lama tha se ne shpresojmë që gjatë vitit 2019 qytetarëve të Kosovës t’iu mundësohet të lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian dhe në këtë mënyrë të kenë mundësinë për shkëmbime eksperiencash, studime, biznesi dhe krijimin e lidhjeve edhe më të forta me vendet e BE-së. Kosova aktualisht ka një marrëveshje me Bashkimin Evropian që i mundëson të jetë pjesë e disa programeve të tij si dhe të bëjë shkëmbimet tregtare.

Festa vazhdoi me interpretimin e dy artistëve të shquar: Sihana Badivuku me violinë dhe Blerim Grubi me violë, të cilët përformuan vepra të ndryshme të artistëve kosovarë. Mbrëmja u përmbyll me një koktej rasti me ç ‘rast mysafirëve iu shërbye edhe verë nga Kosova.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...