Qytetarët e Kosovës mbështesin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, nuk e duan Asociacionin

Aktuale

Qytetarët e Kosovës mbështesin vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, nuk e duan Asociacionin

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 14:44
Prishtinë

Përmes një sondazhi të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, tregohet se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimit e dialogut Kosovë-Serbi, në formatin aktual.

Përmes një sondazhi të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, tregohet se 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimit e dialogut Kosovë-Serbi, në formatin aktual. 

Ndërkohë, vetëm 30 për qind e qytetarëve e mbështesin korrigjimin e kufirit në këmbim të njohjes së Kosovës globalisht dhe anëtarësimit të saj në OKB.

Para liderëve institucional e politik në Kosovë, Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit prezantoi sot sondazhin e realizuar me qytetarët e Kosovës rreth dialogut Kosovë-Serbi.

Në këtë sondazh janë testuar tre skenarë me qytetarë, që sipas raportit, nuk ka përkrahje substanciale nga komuniteti shumicë në Kosovë, për ndonjërin nga këta skenarë.

Skenari i parë ka të bëjë me status-quo’n, ku vetëm 16 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin këtë status-quo aktuale mes Kosovës dhe Serbisë.

Skenari i dytë ka të bëjë me Asociacionin e Komunave  më Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive, në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, ku vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar.

Ndërsa skenari i tretë ka të bëjë me korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, në këmbim të njohjes globale dhe anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ky skenar u mbështetet nga 30 për qind.

Labinot Greiçevci nga RIDEA, në tryezën e organizuar me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka treguar detaje rreth sondazhit që kanë bërë me 1000 respodentë.

Greiçevci: 62 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e dialogut

“E para, është se qytetarët e Kosovës, 62 për qind e tyre mbështesin vazhdimin e dialogut. E dyta, kemi testuar tri skenarë të cilat i kemi radhitur sipas radhitjes në vijim. E para, Status Quo-ja, vetëm 16 për qind e qytetarëve e mbështesin status quon aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Skenari i dytë që e kemi testuar ka qenë Asociacioni i komunave me kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes de fakto të pavarësisë së Kosovës, vetëm 10 për qind e mbështesin këtë skenar. Dhe, skenari i tretë që e kemi testuar në sondazh ka qenë korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në këmbim të njohjes globale të Kosovës dhe anëtarësimin në OKB. Mbështetja për këtë skenar nga qytetarët e Kosovës ka qenë në vlerën 30 për qind”, tha Greiçevci.

Sondazhi “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” u bë me qëllim të identifikimit të perceptimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve në lidhje me skenarët rreth finales së madhe mes dy vendeve.

Grupi i parë i gjetjeve tregon se shumica e popullsisë së Kosovës është kundër ndërprerjes së dialogut.

Ndërsa grupi i dytë i gjetjeve fokusohet te vijat e kuqe të Kosovës lidhur me fazën përfundimtare të dialogut.

Sondazhet tregojnë se Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës, Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës dhe Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës,.

“Liqeni i Ujmanit duhet të mbetet brenda territorit të Kosovës. Trepça duhet të mbetet pjesë e Kosovës, Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës(69% e shqiptarëve kundrejt 0% të mostrës serbe). Lugina e Preshevës duhet t’i mbetët Serbisë (13% e shqiptarëve, kundrejt 84% të mostrës serbe). Veriu i Kosovës: Zveçani, pjesë të Zubin Potokut dhe Leposaviqit nuk duhet ti bashkohen Serbisë( 91% të shqiptarëve kundrejt 10% të mostrës serbe)”, thuhet në sondazhin e publikuar.

Sondazhi tregon se popullsia serbe dhe shqiptare flasin me zëra të ndryshëm sa i përket vijave të kuqe, por më pajtohen për nevojën e vazhdimit të dialogut.

Sondazhi është përkrahur nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.

Ambasadori në Kosovë, Strand Sjaastad tha se shpreson që ky sondazh do të jetë i dobishëm për debate në dialogun e brendshëm në Kosovë.

Strand Sjaastad: Konsensusi e bën Kosovën më të fuqishme

“Jo të gjitha partitë pulitke duhet të jenë pjesë e delegacionit shtetëror, duhet të respektohen por edhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Parlament në fusha të tjera të relevantes. Konsensusi do ta bëjë Kosovën më të fuqishme”, tha ai.

Sondazhi tregon edhe për qëndrimi ne qytetarëve në çështjen nëse Kosova duhet të kërkojë të bashkohet me Shqipërinë, në rast të marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

43 për qind e përkrahin idenë që Kosova duhet të kërkojë bashkim me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe de jure nga Serbia, dhe 50 për qind e refuzojnë këtë ide.

“Megjithatë, 49 për qind në mesin e shqiptarëve dhe 76 për qind e serbëve nuk pajtohen me opsionin që Kosova duhet të kërkojë bashkimin me Shqipërinë në rast të njohjes de facto dhe te jure nga Serbia”, thuhet në sondazh.

Nga ky sondazh i publikuar sot del se opinioni publik është jo konsistent dhe me pozicione kontradiktore.

Sipas raportit, për të qenë e pranueshme ndonjë marrëveshje e ‘finales së madhe’ nga shumica në Kosovë, ajo duhet të sjell diçka të qëndrueshme, thelbësore dhe funksionale në vend, në të kundërtën është e destinuar të dështojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat