Kopjimi i lajmeve nga mediat serbe, propagandë për publikun

Aktuale

Kopjimi i lajmeve nga mediat serbe, propagandë për publikun

Më: 20 shkurt 2019 Në ora: 15:01
Pamje nga tryeza

Kopjimi i lajmeve nga mediat serbe dhe ardhja e tyre në Kosovë është asgjë më tepër se sjellja e propagandës dhe politikës së Serbisë për publikun tonë.

Kështu u tha në punëtorinë me temën “Luftimi i lajmeve të rrejshme dhe i propagandës në mediat online”. Mes tjerash, u kërkua nga mediat e shkruara që ndërmarrin hapa ndaj luftimit të lajmeve të rrema,  në të kundërtën do të ndërhyjë politika.

Kryetari i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, tha se edhe në Kosovë, zhvillimi i teknologjisë e ka bërë më të lehtë depërtimin e lajmeve të rreme, por që sipas tij ky nuk është një term i ri dhe se një dukuri e tillë daton qëmoti, por mënyra e shpërndarjes së tyre ka qenë në forma të ndryshme.

Mushkolaj: Ka raste kur disa përmbajtje  janë për hetime të policisë

“Ne kemi jo vetëm lajme të rrejshme, por edhe media të rrejshme në kuptimin se të gjithë ballafaqohemi mos të them çdo ditë, por shpesh herë edhe në rrjetet tona  sociale në linqe dhe ueb-faqeve dhe i shohim se janë përnjëmend prodhime të rrejshme dhe cili është roli ynë në rregullimin e këtyre përmbajtjeve. A mundemi ne të rregullojmë një përmbajtje dhe cili është ndikimi jonë si shoqëri si komunitet i gazetarëve , si këshill i mediave, një përmbajtje që nuk e dimë nga vjen. Ne mundemi ta rregullojmë ose të përpiqemi ta rregullojmë një përmbajtje të një mediumi që ka adresë që e dimë kush qëndroj prapa tij, që përpiqet ose zotohet ta respektojë kodin etik të mediave, por si të ndikojmë në këto raste ku ato përmbajtje nuk janë materie për çfarëdo trupi rregullues ose vetërregullues, por janë materie për hetim policor”, ka thënë Mushkolaj.

Arta Berisha, gazetare, tha se shumë shpesh publikohen informata dhe të nesërmen rezultojnë si të pasakta. Ajo ka përmendur edhe propagandën nga mediat serbe, ku më pas pa u verifikuar publikohen edhe nga mediat kosovare.

Berisha: Kopjimi i lajmeve të mediave serbe është sjellja e propagandës serbe për publikun tonë

“Një problem tjetër është edhe kopjimi i lajmeve nga mediat serbe. Mediat serbe nuk mund të kenë burime kredibile në Kosovë. Rrjedhimisht, shkrimet e tyre kur shkruhen për Kosovën, nuk mund të jenë të vërteta dhe të sakta, sepse ato nuk mund të kenë burime të mira. Kopjimi i këtyre mediave, i këtyre lajmeve nga mediat serbe dhe ardhja e tyre në Kosovë është asgjë më tepër, dhe asgjë e rëndësishme përveç se sjellja e propagandës e Serbisë dhe politikës së Serbisë për publikun tonë. Kështu që kjo mendoj që është një praktikë që duhet të kemi kujdes se çka të marrim e çka jo. Normalisht, duhet të përzgjedhim edhe mediat, lajmeve e të cilave mediave marrim dhe sjellim për publikun tonë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa, Shqipe Pantina, nënkryetare e Komisionit për Administratë Publike, Qeverisjes Lokale dhe Media, tha se legjislacioni në Kosovë e siguron lirinë e medias dhe e rregullon nëse ajo keqpërdoret. Por, që sipas saj mediat e shkruara duhet të ndërmarrin hapa, në të kundërtën do të ndërhyjë politika.

Pantina: Nëse nuk ndërmerren hapat, duhet të ndërhyjë politika

“Nëse ju nuk e bëni, nëse ju nuk ndërmerrni disa hapa që me rregulluar këtë fushë atëherë ka me bërë politika. Dhe sa herë ta bëjë politika, ka me bë keq. Dhe vazhdoj ta them, të njëjtën, nëse mediat vetë nuk ndërmarrin diçka për me rregulluar, e kjo është me të vërtetë problem, sepse interneti është diçka që këtë punë nuk kanë arritur të zgjedhin edhe vendet që janë shumë para neve. Po e përsëris edhe një herë nëse nuk ka një iniciativë serioze nga ana e vetë mediave që këtë punë me rregulluar disi, do ta bëjë politika edhe ju garantoj në fund, dhe ju garantoj që do të bëhet keq”, ka thënë Pantina.

Ajo tha se ka shumë politikanë që nuk duhet të bëhen lajm,  për shkak të gjuhës së tyre. Fajtor për lajmet e rreme, sipas saj janë ata që nuk reagojnë para lajmeve të rreme, e më kryesori, siç thotë ajo, është gjyqësori.

Pantina mes tjerash tha se nuk është e kënaqur me punën e KPM-së, për çka nuk u pajtua Imer Mushkolaj.

Mushkolaj: Çfarë po kërkoni nga ne që të bëjmë?

“Shqipe, kur po thua bëni diçka, çka po mendon... Ne kemi bërë jemi vetorganizuar, jemi duke u vetë rregulluar, çfarë po kërkoni prej neve që të bëjmë, ne nuk mundemi me miratuar ligje...Kemi bërë, pse nuk po na leni me u zhvilluar kështu si jemi. Kosova ka mjaft ligje, të cilat rregullohen  në fushën e  funksionimit të mediave, kështu që kur po na thoni bëni diçka, çka me bë ne, të mblidhemi për të bërë ligj, apo çfarë të bëjmë. Ne jemi vetorganizuar, atë çfarë mundemi me bë si komunitet e kemi bërë, dhe po përpiqemi që të rregullojmë çështje që ne konsiderojmë se janë problematike”, tha Mushkolaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat