Bie kënaqshmëria për punën e presidentit

Aktuale

Bie kënaqshmëria për punën e presidentit

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 13:37
Bie kënaqshmëria për punën e presidentit

Ka shënuar ngritje kënaqshmëria e qytetarëve për punën e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrin, ndërsa ka shënuar rënie të lehtë kënaqshmëria për punën e presidentit.

Kështu është thënë sot gjatë lansimit të raportit “Pulsi Publik- XV”, të publikuar nga UNDP.

Menaxheri i projektit “Pulsi Publik”, Arben Qirezi tha se kënaqshmëria për punën e presidentit nga 39.1 për qind sa ka qenë në sondazhin e muajit maj 2018, ka rënë në 38.4 për qind në nëntor të vitit 2018, ndërsa kënaqshmëria me punën e kryeministrit sa ka qenë 33.2 për qind është rritur në 35.1 për qind, puna e kënaqshmërisë për punën e kryetarit të kuvendit, është rritur nga 31.5 në 36.3 për qind.

Qirezi ka thënë se kënaqshmëria me punën e gjyqësorit është rritur nga 31.2 në 37.8 për qind.

Qirezi: Ngritet kënaqshmëria e punës së kryetarit të kuvendit dhe kryeministrit

“Kënaqshmëria me punën  e kryetarit të Kuvendit është rritur me 4.8 për qind, me punën e Kuvendit me 3.2 për qind, me punën e kryeministrit me 1.9 për qind dhe me punën e ekzekutivit, pra të Qeverisë së Kosovës me 1.3 për qind. Një rënie shumë të lehtë ka pasur kënaqshmëria me punën e presidentit të Kosovës diku 0.7për qind”, tha Qirezi.

Ai ka thënë se tri problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët janë papunësia, korrupsioni dhe varfëria. Ndërsa, sipas tij, Dogana, KEDS-i dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit janë institucionet më të korruptuara duke iu referuar sondazhit “Pulsit publik”.

Qirezi: Tri institucionet më të korruptuara

“Në nëntor të vitit 2018 qytetarët e Kosovës kanë thënë se tri problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova është papunësia me 29.4 për qind, korrupsioni me 13.4 për qind dhe varfëria me 8.6 për qind, menjëherë pasohen me krimin e organizuar, me shërbimet shëndetësore si dhe me arsimimin. Për sa I përket meritokracisë në punësim në sektorin publik vetëm 31.2 për qind të qytetarëve mendojnë se punësimi në sektorin publik bëhet në bazë të meritave, kurse një shumicë dërmuese prej 68. 8 për qind mendojnë se punësimi në sektorin publik nuk bëhet në bazë të meritave, por në bazë të lidhjeve partiake. Tri institucionet me nivelin më të lartë të korrupsionit sipas perceptimeve të qytetarëve na del të jetë Dogana me 31.4 për qind, KEDS-i me 31.3 për qind dhe Agjencioni i Privatizimit me 29.8 për qind dhe pasojnë organizatat e tjera”, tha ai. 

Sipas Qirezit, gatishmëria e qytetarëve për t’u bashkëngjitur protestave për arsye politike, ka shënuar ngritje nga 37.8 për qind në 39.5. Ai ka shtuar se gatishmëria më e ulët për t’iu bashkëngjitur protestave ka qenë në prill të vitit 2016, ku vetëm 25.5 për qind kanë qenë të gatshëm për protesta.

Qirezi: Është rritur gatishmëria për protesta politike

“Vetëm13.5 për qind të të anketuarve kanë shprehur kënaqshmërinë e tyre me dertimin politik të Kosovës, 50.8 për qind të qytetarëve të Kosovës kanë shprehur se nuk janë të kënaqur me drejtimin aktual politik të Kosovës dhe 36. 4 për qind kanë qenë neutral. Në linjë me këtë nivel të pa kënaqshmërisë me drejtimin politik të Kosovës, kemi edhe gatishmërinë e qytetarëve të Kosovës për t’u bashkëngjitur protestave për arsye politike. Përderisa në maj të vitit 2018 gatishmëria për t’iu bashkëngjitur protestave për arsye politike ka qenë 37.8 për qind, në sondazhin e mbajtur në nëntor të vitit 2018, kjo gatishmëri është rritur për 1.7”, ka thënë Qirezi.

Sipas këtij sondazhi, ka një rënie të lehtë të besueshmërisë ekonomike, ndërsa rreth lirisë mediave, 59.1 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se ato e gëzojnë lirinë e shprehjes, që është një rritje prej 6.3 për qind.

Pulsi Publik XV, i lansuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), është financuar si projekt nga USAID. Sondazhi shqyrton situatën socio-ekonomike në Kosovë duke analizuar perceptimet e çështjeve politike, ekonomike, të sigurisë dhe të zhvillimit. Përveç treguesve të zakonshëm kyç, kjo përmbledhje gjithashtu shqyrton njohuritë e kosovarëve për mjedisin dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut.

Anketa, e cila u zhvillua në nëntor 2018, përfshiu 1306 kosovarë mbi moshën 18- vjeç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat