Mbështetja e nismave për edukim - esenciale për suksesin e shtetit

Aktuale

Mbështetja e nismave për edukim - esenciale për suksesin e shtetit

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 15:27
Philip Kosnett

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi sot se përkrahja e nismave për edukim është thelbësore për suksesin e shtetit të Kosovës, pasi programet në edukim u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara.

Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të "Junior geeks", program ky i financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përmes Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ICK.

Programi është i ndarë si shpërblim për grupin e tre bursistëve. Në ceremoninë e lansimit u tha se platforma gjithëpërfshirëse për nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar dhe zhvilluar ndërmarrësinë, teknologjinë e inovacionin.

Ambasadori Kosnett tha se mbështetja e nismave për edukim është esenciale për suksesin e shtetit.

"Mbështetja e nismave për edukim është thelbësore për suksesin e Kosovës. Programet konkrete në edukim u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara. Projekti do t'i nxisë nxënësit që të jenë aktiv. Puna e Qeverisë amerikane në Kosovë është e fokusuar në paqe, drejtësi dhe mirëqenie. Programi është hartuar si platformë përfshirëse qe bënë bashkë te rinj e të reja pavarësisht etnisë", tha ai.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, e quajti të rëndësishme krijimin e kushteve sa më të mira për edukimin e të rinjve, duke thënë se ministria që ai drejton ka bërë hapa për të pasur projekte të tjera të tilla për të rinjtë.

"Partnerët tanë të rëndësishëm po na krijojnë mundësi për të rinjtë tanë. Na mbetet t’u krijojmë kushte të tilla të rinjve tanë, atëherë e ardhmja e vendit tonë është e sigurt. MASHT ka bërë ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për ndërmarrësi", tha ministri Bytyqi.

Ndërsa Uranik Begu, drejtor në ICK, tha se shoqëria duhet të përfshijë të gjitha komunitetet në zhvillim.

"Jemi të hapur për çdo iniciativë që ka fokus zhvillimin ekonomik", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat