Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim drejtoreshën e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, me të cilën ka biseduar për progresin e arritur në rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit, pjesë e së cilës është edhe drejtësia komerciale.
Ai ka potencuar se pas takimeve të shumta me biznese dhe oda që përfaqësojnë interesin e tyre, është parë si e domosdoshme krijimi i gjykatës komerciale, për të rritur efikasitetin e trajtimit të lëndëve të biznesit.
“Të bërit biznes është ngushtë i lidhur edhe qasjen e shpejtë dhe efikase në drejtësi. Funksionalizimi i kësaj gjykate do të ndihmojë në krijimin e një ambienti më të mirë për bizneset vendore por edhe për investitorët e huaj”, tha ministri Tahiri.
Ai ka vlerësuar mbështetjen e deritanishme që ka dhënë USAID-i, duke shtuar se ky bashkëpunim dhe ekspertiza e USAID-it do të jenë të rëndësishme në krijimin e një gjykate komerciale efikase dhe efektive që do të ndihmojë në qasjen më të shpejtë të bizneseve në drejtësi.