Deputeti i PDK-së paralajmëron një takim serioz të koalicionit për taksën

Aktuale

Deputeti i PDK-së paralajmëron një takim serioz të koalicionit për taksën

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 17:18
Fatmir Xhelili

Partia Demokratike e Kosovës thotë se java e ardhme është koha e fundit që Haradinaj duhet të vendos për pezullimin e vendimit për taksën ndaj produkteve serbe. Deputeti i kësaj partie, Fatmir Xhelili ka thënë që pas kthimit të kryetarit të partisë, Kadri Veseli, nga Japonia, do të thërrasin një takim serioz me liderët e koalicionit, në të cilin pritet të merret vendimi përfundimtar sa i përket çështjes së taksës.

Ai ka thënë se në këtë takim do të diskutohen edhe modalitetet për pezullimin e vendimit. Xhelili thotë se nuk janë të interesuar ta rrëzojnë Haradinajn shkaku i taksës, por sipas tij kjo çështje nuk mund të shkojë në pafundësi.

“Ne kemi partnerët tonë strategjik, SHBA-në, BE-në dhe Gjermaninë që po na sugjerojnë domosdo me e heq taksën. Ne do të tentojmë për me e organizuar një takim serioz ndërmjet liderëve të koalicionit, për me e diskutuar ndoshta përfundimisht heqjen e taksës, dhe mënyrën e pezullimit të taksës. Mund të jetë e menjëhershme, apo graduale për një periudhë kohore. Mirëpo domosdo na nuk jem të interesuar me e rrëzuar Qeverinë prej taksës, por është momenti i fundit që kryeministri me reflektuar, se kjo nuk shkon në pafundësi”, ka thënë Xhelili.

Pas kthimit nga Japonia, Kadri Veseli do të mbledh të gjithë partnerët e koalicionit në një takim dhe do të provohet që të bindet edhe Haradinaj që duhet dëgjuar thirrja e SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë për pezullim të taksës, thotë Xhelili.

Deputeti i PDK’së thotë se më pas mbetet në dorën e kryeministrit se a do ta hedh në votim në Qeveri, apo ta heq vetë Haradinaj.

“Unë nuk mund të di kohën e caktuar për thirrjen e takimit. Kryetari i partisë është në Japoni, kthehet të dielën. Besoj që pas kthimit do të organizohet një takim i tillë, sepse përndryshe nuk po kanë kuptim më gjërat, në drejtimin logjik dhe drejtimin politik. Kryesia e partisë mendon që taksa domosdo duhet me u pezulluar . Kemi marrë qëndrim që kryetari me biseduar me kryeministrin dhe liderët e tjerë të koalicionit dhe me e gjet formën që me e bindë edhe kryeministrin që ajo duhet me u pezulluar. Tash a del në Qeveri e votohet, a pajtohet kryeministri me e heq, atë nuk mund ta di. Pas kthimit nga Japonia, është koha e fundit, përndryshe gjëra nuk kanë kuptim” shton ai.

I pyetur nga express se cilët do të jenë skenarët e PDK’së në rast se Haradinaj insiston në mbajtjen e vendimit për taksën, Xhelili thotë se ekzistojnë disa skenarë politik që mund të realizohen, por thotë që ende nuk kanë diskutuar për një gjë të tillë.

“Nuk kemi diskutuar për skenarët, por ekzistojnë disa skenarë politik që munden me u realizu, por nuk kisha folur për skenar, nuk kemi diskutuar për to”, potencon zyrtari i PDK’së.

Ai thotë që tashmë taksa nuk ka asnjë kuptim, pasi që Serbia të njëjtin mall që e ka futur më herët në Kosovë, po e eksporton edhe tash vetëm se përmes rrugëve alternative nga Maqedonia, Kroacia e Shqipëria.

Sipas Xhelilit, serbët nuk janë duke humbur asgjë financiarisht nga taksa, dhe vetëm janë duke fituar politikisht, duke u paraqitur si viktimë para ndërkombëtarëve.

“Prej taksës Serbia nuk është duke humbur asgjë financiarisht. Faktikisht janë kalkulime të Serbisë se po i humbin kaq milionë. Me e dëgju çdo zyrtar apo ministër të Serbisë, dikush thotë 40 milionë, dikush thotë 80 milionë, e dikush 30 milionë. Ata gjithë atë mall që e kanë eksportu përpara në Kosovë, prapë janë tu e eksportuar në Kosovë vetëm në forma të ndryshme, përmes Shqipërisë, Kroacisë e Maqedonisë. Për nga ana financiare nuk janë duke humbur asgjë”.

Bllokimin e procesit të dialogut, ai thotë që Serbia po mundohet t’ia faturojë Kosovës, duke e shfrytëzuar vendimin për taksën.

“Dhe fitimi i  tyre politik, ata po donë me na lënë neve fajtor për dialog. Krejt politikën e tyre e kanë koncentruar për të në lënë neve fajtor në dialog. Ne nuk jemi ende të bindur se sa Serbia është e interesuar për një dialog një dialog të mirëfilltë edhe për një përfundim të armiqësive ose relacioneve jo të mira”, ka shtuar Xhelili.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai thotë se për këtë çështje duhet dialoguar edhe me pozitën por edh me opozitën, për shkak të qëndrimeve të shumta të cilat ekzistojnë.

“Dialogu nuk është çështje pozitë opozitë, po mënyrë e të menduarit të liderëve për problematikën në fjalë, jo vetëm me opozitën, kem me pas nevojë me biseduar edhe me pozitën. Janë qëndrimet prej atyre populiste, deri tek ato realet. Për Kosovën humbja e kohës është humbje e madhe në çdo drejtim. Do të diskutojmë për të gjithë këto edhe me partnerët e koalicionit, edhe me opozitën”.

Ndërkohë ,zyra e kryeministrit Haradinaj kanë hezituar t’i komentojnë deklarime te kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, të bëra dje në ‘Rubikon’, ku tha se po e pret edhe propozimin e Haradinajt rreth modaliteteve se si ta pezullojmë vendimin për taksën.

Ajo që dihet deri tani është që kryeministri Haradinaj vazhdimisht ka deklaruar që taksa nuk do të hiqet pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës.

E në gjithë këta tre muaj të taksës, presioni i BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjene e taksës vetëm ka shkuar duke u rritur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat