Ligji për pagat mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese - Bota Sot
Ligji për pagat mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

Aktuale

Ligji për pagat mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 17:21
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, fotografi nga arkivi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka dekretuar apo kthyer në Kuvendin e Kosovës Ligjin për pagat, në afatin ligjore prej tetë ditësh. Në këtë rast, sipas Kushtetutës se Republikës se Kosovës, ligji konsiderohet i shpallur pa nënshkrimin e presidentit.

Mosnënshkrimin e këtij ligji e kanë konfirmuar edhe nga zyra për informim e Presidentit të Kosovës, sipas të cilëve, “Projektligji për pagat nuk është dekretuar nga presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi”.

“Zyra e presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë nga zyra për informim e presidencës.

Afati ligjor prej tetë ditësh për dekretim apo kthim në Kuvend të këtij ligji kaloi në mesnatën ndërmjet 20 dhe 21 shkurtit.

Pasi ka kaluar afati ligjor për një vendim nga presidenti, Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në bazë të Kushtetutës se Republikës se Kosovës, Ligji i pagave konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e presidentit Thaçi dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Në bazë të Kushtetutës se Kosovës, ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe shpallet nga presidenti i Republikës, pasi ta ketë nënshkruar brenda tetë ditësh, pasi të ketë marrë ligjin.

Kurse nëse presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Kështu që ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse, me vetë ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Ligji i pagave është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, kurse në zyrën e Presidentit ka arritur më 12 shkurt, por gjatë hartimit u ndryshua disa herë, pasi u shtuan pakënaqësitë sociale, nga punonjës në sektorë të ndryshëm publikë, të cilët kërkonin rritjen e koeficientit, përkatësisht rritjen e pagave.

Sipas udhëheqësve të institucioneve të shtetit, në bazë të këtij ligji janë rritur pagat për 70 për qind të punonjësve në sektorin publik.

Por, pakënaqësi të punëtorëve ka pasur në sektorë të ndryshëm publikë edhe për ulje të koeficientit, rrjedhimisht ulje të pagave.

Të pakënaqur me veprimin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga presidenti mosnënshkrimin e këtij ligji, në mënyrë që të kthehet në Kuvend. Kjo sindikatë para miratimit të ligjit, ka mbajtur disa greva, duke e quajtur këtë ligj diskriminues për mbi 22 mijë punëtorët e këtij sektori, kurse ka pezulluar ato, deri në një kohë tjetër.

Kryetari i kësaj sindikate Mursel Zymberi, tregon për Radion Evropa e Lirë se sindikata ka angazhuar Avokatin e Popullit që të merret më këtë çështje, në mënyrë që ky ligj të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Fillimisht Avokati i Popullit do hetojë pikë për pikë të gjitha gabimet, vërejtjet e qëllimshme të cilat i ka bërë Kuvendi i Kosovës dhe do t’i dërgohen Gjykatës Kushtetuese. Në të kundërtën, në rast se edhe Gjykata Kushtetuese do ta zvarrisë ose nuk do të shqyrtojë ankesat tona, jemi shumë të bindur dhe të vendosur që do të ketë bllokadë të institucioneve të vendit. Tashmë fillon një beteje re, ne kemi pezulluar grevën, por si duket do të aktivizohemi edhe më fuqishëm”, tha Zymberi për Radion Evropa e Lirë.

Përveç shërbyeseve civilë, Ligji për pagat pas miratimit është kundërshtuar edhe kontrollorët e trafikut ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, "Adem Jashari", Sindikata e Korporatës Energjetike e Kosovës, Sindikata e punëtorëve në Shërbimin Korrektues, Operatorin e Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë në Kosovë (KOSTT), po ashtu edhe kirurgët e Qendrës se Klinikës Universitare të Prishtinës dhe nga mësimdhënësit e ciklit të ulët./REL

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...