Geoffrey Nice: Zvarritja e akuzave nga Gjykata Speciale është në interes të Serbisë

Aktuale

Geoffrey Nice: Zvarritja e akuzave nga Gjykata Speciale është në interes të Serbisë

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 18:06
Geoffrey Nice, ish-prokurori i Tribunalit të Hagës

Geoffrey Nice, ish-prokurori i Tribunalit të Hagës, ka thënë se akuzat e para nga Gjykata Speciale nuk janë ngritur për disa arsye.

“Se di sa gjatë do të presim por deri tani kemi pritur për katër vjet dhe kjo është prej se Gjykata është formuar. Para se kjo të ndodhte, hetuesit thonin se akuzat po vonohen vetëm për faktin se Gjykata nuk ekzistonte dhe sapo Gjykata do të niste funksionimin do të dilnin me akuzat e para”.

“Kjo gjë nuk ka ndodhur. Mos ndoshta sepse nuk ka dëshmi, jo vetëm për trafikimin e organeve por për asgjë tjetër”.

“Mendoj që është tmerrësisht e gabuar që sipër kokave të njerëzve të rrinë këto kërcënime të Prokurorisë, këto akuza për trafikim organesh ose të tjera”.

Nice ka thënë se zvarritja e këtij procesi favorizon Serbinë.

“Çfarë bëhet përmes zvarritjes së këtij procesi? Së pari kjo është në interes të Serbisë dhe askujt tjetër sepse historia e Serbisë preket nga kjo njollë që rri mbi Kosovën dhe Serbia është në pozicion më të fortë derisa këto akuza mbahen, që të vazhdojë të qëndrojë në pretendimet territoriale karshi Kosovës”.

“Çfarë tjetër po ndodh derisa koha kalon? Shtetet po e çnjohin Kosovën dhe kur e bëjnë këtë, kanë në mendje këto akuza edhe pse mund të mos kenë informata të bollshme për to”.

“Çfarë tjetër po ndodh gjatë kohës sa shtyhet publikimi i këtyre akuzave? Të rinjtë tuaj e kanë të pamundur të ccajnë përpara derisa kjo gjë rri si hije mbi Kosovën”.

Ai ka deklaruar se “Prokuroria ka për detyrë që të dalë me akuza nëse ka dëshmi ose të thotë se nuk ka dëshmi dhe të marrë fund kjo histori”.

“Kjo gjë nuk ka ndodhur dhe kështu si është e dëmton vendin tuaj”.

Sipas tij, ish-liderët e UÇK-së po intervistohen nga Gjykata Speciale për të mbledhur dëshmi sepse nuk ka mjaftueshëm të tilla.

“Kështu duket dhe është e gabuar që dikush të intervistohet si i dyshuar për qëllim të mbledhjes së informatave kur ka mekanizma të tjerë për ta bërë këtë gjë”.

“Por nëse janë duke e bërë këtë gjë, nëse po i dërgojnë njerëzit në Hagë, ku është më frikësuese të intervistohesh se sa këtu në Prishtinë”.

“Ndoshta po mundohen që t’i shtynë të flasin apo të mbledhin dëshmi sepse nuk kanë mjaftueshëm të tilla për t’i intervistuar si të dyshuar”.

Ish-prokurori i Tribunalit të Hagës ka thënë se nuk mund ta di se cilat janë interesat e SHBA-ve dhe vendeve evropiane për themelimin e kësaj gjykate.

“E kam të vështirë ta di këtë gjë dhe nuk kam pasë qasje në prapaskenat politike. Është e qartë se ka pasë presion politik të madh dhe e vetmja përfituese e atij presioni duhet të jetë Serbia”.

Sipas Nice, a mund ta shkatërrojë kjo Gjykatë narracionin e Kosovës, një herë e përgjithmonë?

“Nuk do ta shkatërrojë përgjithmonë, nëse e kuptoni rrezikun dhe punoni për ta shtyrë përpara narracionin tuaj”.

“Kjo stërzgjatje e procesit, pa akuza por me pretendime në ajër, i jep Serbisë kohë dhe hapësirë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së vet dhe ka efektin e demonizimit të liderëve tuaj, në sytë e komunitetit ndërkombëtar por edhe në sytë e qytetarëve tuaj”.

“Nëse ky demonizim bëhet mbi thashetheme dhe mbahet gjallë nga Gjykata Speciale atëherë është gjë e pafat për ju”.

“Një Gjykatë që bart këto akuza, qoftë edhe si thashetheme, ndaj liderëve të vendit tuaj, ka rrezik ta dëmtojë narracionin dhe historinë e vendit tuaj”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat