Haradinaj: Kosova nuk jep tokë për njohje

Aktuale

Haradinaj: Kosova nuk jep tokë për njohje

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 18:00
Ramush Haradinaj

Kryeministri Ramush Haradinaj i ka quajtur spekulime pohimet e medias gjermane “Frankfurter Rundschau”, se ndarja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ai me këtë rast tha prerazi se nuk ka eksperimente me kufijtë e Kosovës dhe paralajmëroi se nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të ketë ndjekje penale për të gjithë ata që e shkelin Kushtetutën.

Haradinaj: Nuk ka eksperimente me kufi e as territore

“I kam parë këta artikuj, janë disa do të thotë, mu më pëlqej artikulli tjetër, deklarimi i ministrit Heiko Mass, që Kosova i kryer reformat, ata që janë me u respektuar, nuk mendoj që artikujt tjerë kanë peshë. Pra, nuk janë të peshës së që na duhet me i marr seriozisht...Nuk bëhen këso eksperimente me Kosovën, duhet ta kuptoni këtë, nuk do të ketë eksperimente të tilla me kufi e as me territore, nuk ka eksperimente. Kosova është një, është e 17 shkurtit. Kushtetuta jonë vetëm një Kosovë e njeh, kushdo tjetër që e diskuton, janë duke bërë shkelje të Kushtetutës edhe ligjore,  edhe ata do të ndiqen penalisht”, ka deklaruar Haradinaj.

I pari i Ekzekutivit po ashtu bëri të qartë se kufijtë aktual të Kosovës nuk mund të ndryshojnë dhe se çdo gjë tjetër për ndryshimin e tyre është vetëm spekulim.

Haradinaj:  Kufijtë janë trashëguar me Pavarësinë e Kosovës

“Kosova ka kufij me Serbinë, me tërë gjatësinë kufitare, ruhet kufiri në të dyja anët. Në njërën anë nga Policia e Kosovës në anën tjetër nga ana e Serbisë. NATO e di këtë kufi është i shënuar, është kufiri administrativ i dikurshëm i ish-Jugosllavisë, kushtetuta e ish-Jugosllavisë se kufijtë e republikave nuk mund të ndryshohen pa dakordimin e dy palëve, në rrafshin e krahinave e po ashtu pa aprovimin e Parlamentit. Kufiri administrativ Kosovë-Serbi, është po ai kufi në të cilat e ka marrë përgjegjësinë NATO, në vitin 99, e të cilin e kemi trashëguar me deklarimin tonë shtet i pavarur, sovran...Bazuar në këto, të gjitha të tjerat janë spekulime ”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë që është përfolur se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet në qershor, kreu i Ekzekutivit ka pohuar se një marrëveshje do të jetë e mundshme, por pa i ndryshuar kufijtë aktualë.

Haradinaj:  S’ka republikës serbe në Kosovë

“Çdo herë është e mundur një marrëveshje, por jo një marrëveshje ndryshe përpos në kufijtë ekzistues, pa Republikën Serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërsa për liberalizimin e vizave, kreu i Qeverisë shprehu besimin se në qershor të këtij viti qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në vendet e tjera.

Haradinaj: Në qershor do ta marrim liberalizimin e vizave

“Për këtë e ceka këtë deklaratën e ministrit gjerman që thotë se janë për t’u respektuar reformat. Bazuar në këtë vlerësim unë mendoj që po shkojmë kah liberalizimi. Unë shpresoj shumë se në qershorin e këtij viti do ta marrim atë që është e drejtë e jona, pra liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Haradinaj.

Haradinaj nuk kurseu as akademinë për 29-vjetorin e rënies së atdhetarit dhe diplomatit Enver Hadri, pa folur për taksën dhe dialogun. Ai tha se dialogu është devijuar nga qarqet në Kosovë e Bruksel.

Haradinaj: Dialogu u devijua nga disa qarqe në Kosovë e në Bruksel

“Sot 20 vjet pas çlirimit dhe kur po hyjmë në dekadën e dytë të pavarësisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë u devijua nga disa qarqe në Kosovë e në Bruksel duke u shndërruar në dialog për territore. Prandaj, sot na duhet shembulli i heroit tonë Enver Hadri që të mos na përsëritet historia. Vendosmëria për të qëndruar në të drejtën e Kosovës të 17 shkurtit, është rreshtim në anën e drejtë të historisë dhe ne po ashtu me veprimin e marrë për të bllokuar mallrat e Serbisë, pra taksa 100 për qind, është po ashtu veprim që pengon formalizimin e një ndarje. Kosova nuk jep tokë për njohje edhe nëse ky është çmimi, Kosova nuk ka nevojë për njohje nga Serbia”, porositi Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat