Shkollat profesionale përballen me mungesë buxheti, kurrikula dhe tekste

Aktuale

Shkollat profesionale përballen me mungesë buxheti, kurrikula dhe tekste

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 14:46
Pamje nga tryeza

Interesimi i të rinjve për shkollimin profesional është rritur, por institucionet e vendit nuk po e shohin me prioritet këtë fushë, derisa edhe buxheti që ndahet për arsimin dhe aftësimin profesional është i pamjaftueshëm, ndërkohë që shumica e shkollave profesionale nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku temë ishte “Shkollimi Profesional në Kosovë.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard tha se shqetësim për shkollimin dhe aftësimin profesional mbetet mungesa e kurrikulës dhe teksteve shkollore, dhe ndërlidhja e shkollave me tregun e punës.

Qehaja pohoi se edhe buxheti tregon se arsimi nuk është primar në Kosovë ku 80% e buxhetit shkon në paga.

Si shqetësim, Qehaja përmendi edhe mos përgatitjen e rreth 40 për qind të mësimdhënësve për të ushtruar profesion në profile të caktuara, pasi që mungon trajnim i mirëfilltë i mësimdhënësve për punë praktike.

Qehaja: Ka mungesë të kurrikulave për shkollimin profesional

“Ende kemi një mungesë pikë së pari të kurrikulave dhe tekstet shkollore që ende kemi një mungesë të një kurrikule të mirëfilltë, sistemi aktual i bazuar në kompetenca bie ndesh me shumë investime bie fjala që e kanë shtyrë shkollimin profesional drejt një sistemi dual, shpërputhje të tilla brenda vetë sistemit kanë ndikuar që cilësinë e vetë shkollimit profesional. Rikujtoj po ashtu se edhe në buxhetin e alokuar për shkollimin profesional për vitin 2019, diku rreth 80 për qind e buxhetit ende vazhdon të shkojë për paga si rezultat i decentralizimit shpenzimet tjera operative janë kërkuar të mbulohen nga DKA-të. 40 për qind e mësimdhënësve të shkollimit profesional supozohet që janë jo të përgatitur për zhvilluar profesionin në profile të tyre të caktuara, kemi një mungesë të një sistemi sistematik të trajnimeve dhe përditësimit të njohurive të mësimdhënësve”, ka thënë Qehaja.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëri Nagavci  u pajtua se mungesa e buxhetit dhe teksteve shkollore ndikojnë në mos zhvillimin e shkollimit profesional.

Nagavci: Shqetësues mbetet mungesa e buxhetit për shkollat profesionale

“Është vërtet shqetësues që buxheti për shkollat profesional është i pamjaftueshëm, duke pasur parasysh kërkesat specifike të këtyre shkollave si për kushtet e punës brenda në shkollë, edhe për organizimin e mësimit praktik, dhe po ashtu ndër më shqetësueset vazhdojnë të mbeten mungesa e kurrikulave dhe teksteve shkollore”, ka thënë Nagavci.

Anton Gojani nga Instituti KIETI  kërkoi që institucionet të fokusohen që nxënësit ta bëjnë shkollimin profesional si zgjedhje primare dhe jo të tretë, pasi që ne ende kemi probleme substanciale në këtë drejtim.

Gojani: Kemi probleme substanciale në arsimin profesional

“Ne kemi probleme substanciale dhe strukturore ende në arsimin profesional prej mënyrës se si e konceptojmë dhe si e menaxhojmë, nuk dihet kush e strukturon dhe menaxhon arsimin profesional e para, Agjencia për Aftësim dhe Arsim Profesional ka diçka, ministria ka diçka, komuna ka më së shumti përgjegjësi dhe kompetenca më së paku”, ka thënë ai.

Udhëheqësja e Divizionit për Arsim dhe Aftësim Profesional në MASHT, Valbona Fetiu-Mjeku tha se në arsimin kosovar nuk ka decentralizim të plotë pasi edhe buxheti nuk ndahet si duhet për këtë fushë. Sipas saj nuk mund të pritet rezultat në shkollat profesionale nëse buxheti nuk ndahet për laboratorë  e pajisje.

Mjeku: Nuk është arritje e qeverisë rritja e buxhetit për paga

“Nuk e kisha quajtur si të arritur të Qeverisë nëse rritet një buxhet për paga, por asnjë cent nuk është rritur në sigurim të cilësisë, nuk kam parë që ka ndikime në laborator është fat ndoshta e kemi marr si shprehi ajo pritja prej donatorëve. Si Ministri e Arsimit, ne jemi në dispozicion të shkollave dhe të gjitha kërkesave, por sa janë kapacitetet për me arritur këtë pa ndihmën e të gjithëve janë shumë të vogla, edhe gjasat me ec përpara janë të vogla”, tha Mjeku.

Në këtë tryezë i pranishëm ishte edhe eksperti i fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci nga Qendra për Arsim e Kosovës, i cili tha se Kuvendit të Kosovës i takon që të marrë iniciativën për zbatimin e ligjit për arsimin cilësor.

Pupovci: Kuvendit i takon të marrë iniciativën për zbatimin e ligjit për arsim cilësor

“Kuvendit i takon që ta bëjë iniciativën që të zbatohet ligji për arsimin dhe aftësimin profesional, dhe të reflektohet për atë se a është më mirë që të vazhdojnë këto shkolla të administrohen nga komuna, apo të krijohet me të vërtetë një agjenci e fortë në nivel të vendit, e cila do ta bëjë pastaj administrimin e tyre se për një shtet të vogël për 68 shkolla decentralizimi është një luks shumë i madh që secilës komunë t’i delegohen autorizime”, tha ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar edhe tryeza të tjera me tematikë arsimin në Kosovës, ku më pas do të thirret edhe një seancë përmes të cilës synohet të nxirret një rezolutë për arsimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat