Profili i Dijana Zhiviq, kush është ministrja e re e bujqësisë që e nervozoi Vuçiqin?

Aktuale

Profili i Dijana Zhiviq, kush është ministrja e re e bujqësisë që e nervozoi Vuçiqin?

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 18:25
Zhiviq dhe Haradinaj

Nenad Rikallo i Listës Serbe, që akuzohej nga shqiptarët se i ka torturuar gjatë luftës, është zëvendësuar me një serbe liberale. Dijana Zhiviq e partisë së Sllobodan Petroviqit dhe Nenad Rashiqit është Ministrja e re e Bujqësisë dhe gruaja e dytë në kabinetin qeveritar të mbipopulluar nga burrat.

Ministrinë e Bujqësisë do ta udhëheqë serish një përfaqësues i komunitetit serb, megjithatë kësaj radhe kryeministri Ramush Haradinaj ka zgjedhur dikë nga Partia Liberale Serbie (SLS) për ta emëruar ministre të Bujqësisë.

Dijana Zhiviq, u bë e njohur vetëm pasi kryeministri e prezantoi si ministre të re në Qeverinë e tij.

Zhiviq, e cila tash është ministrja e dytë grua në Qeverinë Haradinaj, bën pjesë në Partinë Liberale Serbe të Kosovës, që udhëhiqet nga Slobodan Petroviq.

Ky është i vetmi deputet i këtij subjekti pasi në zgjedhjet e fundit, Lista Srspka fitoi 10 vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës.

Ministrja e re e Bujqësisë ka qenë më parë e angazhuar në Kuvendin e Kosovës. Ajo ka këshilluar liderin liberal serb, Petroviqin, derisa mbante pozitën e nënkryetarit të Kuvendit.

SLS’ja në selinë e saj në Graçanicë ka ftuar konferencë për media ku do të flasin për emërimin e anëtarës së saj në Qeveri.

Mirëpo emërimi i Zhiviqit ka shqetësuar udhëheqësinë e Serbisë.

Presidenti serb Aleksander Vuciq, ka thënë se Haradinaj ka zgjedhur të emërojë dikë nga “serbët e tij privatë” në krye të Ministrisë.

Ai në prani të ministres së Francës për Cështje Evropiane, Nathalie Loiseau, se Haradinaj duke emëruar Zhiviqin si ministre, ka fyer serbët.

“Është e pamundur të durohen çdo ditë të gjitha fyerjet e mundshme, ashtu siç është kjo e fundit kur Ramush Haradinaj zgjedh serbët privatë për ministër të vet të cilët askush nuk i ka zgjedhur për të treguar se është i gjithëfuqishëm. Serbia këtë nuk do ta pranojë, do ta ruajë dinjitetin dhe popullin e vet e do të përpiqemi ta ruajmë stabilitetin e paqen me çdo çmim, por nuk do të lejojë që të nënçmohet populli ynë dhe mos o Zot, të sulmohet ai”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq presidenti serb ishte i kënaqur me Rikallon dhe ministrat e tjerë serbë nga radhët e Listës Srpska, të cilët i orkestron dhe mban  takime të rregullta në Beograd.

Ministrat serbë refuzojnë t’i përgjigjen kryeministrit Haradinaj në mbledhjet e Qeverisë, që nga marsi i vitit të kaluar kur u arrestua në veri zyrtari i lartë serb, Marko Gjuriq. Ndërkaq ata raportojnë kohë pas kohe në zyrën e Vuciqit.

Shefi i ekzekutivit shkarkoi Nenad Rikallon nga posti i ministrit të Bujqësisë, pasi Partia Socialdemokrate i vuri kusht në këmbim të votës për buxhetin.

Rikallo u lirua nga detyra më 2 shkurt, ndërsa që nga emërimi kishte pasur paknaqësi ndaj tij.

Disa qytetarë të lagjes Dardania në Prishtinë po e akuzonin se Rikallo i ka torturuar gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Për këto akuza, opozita e kishte thirrur kryeministri Ramush Haradinaj në interpelancë, mirëpo ai pati refuzuar ta shkarkonte.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat