Kadrijaj: AAK e gatshme për zgjedhje, por koalicioni qeverisës po funksionon mirë

Aktuale

Kadrijaj: AAK e gatshme për zgjedhje, por koalicioni qeverisës po funksionon mirë

Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 22:01
Time Kadrijaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka thënë se kjo parti është e gatshme të shkojë në zgjedhje pasi Qeveria e kryeministrit Ramush Haradinaj ka punuar më shumë se qeveritë paraprake.

Kadrijaj në RTV Dukagjini ka thënë se Haradinaj ka marrë vendime të mëdha si Ushtria, Ligji i pagave, Ligji për Trepçën…

Ajo ka thënë se deri më tani koalicioni qeverisës ka funksionuar mirë, pavarësisht disa deklaratave.

“PDK deri tash ka qenë korrekt. Puna në komisionet e ndryshme parlamentare apo miratimi i ligjeve në Kuvendin e Kosovës, ka treguar se deri sot kemi pasur një partneritet të mirë. Koalicioni ka funksionuar shumë mirë, kemi pasur qëndrime të njëjta edhe në Kuvendin e Kosovës, asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë votim kundërthënës në Kuvend”.

Deputetja e AAK-së ka thënë se që nga ditë e dytë është paralajmëruar prishje e koalicionit dhe rrëzim të Qeverisë, por sipas saj kjo e fundit tashmë i ka mbushur më shumë se një vit e gjysmë të funksionimit të saj.

“Për t’u rrëzuar qeveria duhen 61 vota. Ato vota nuk i ka askush për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj. Koalicioni po funksionon mirë, ligjet po miratohen, kemi unanimitet në veprime”.

Kadrijaj ka thënë se janë spekulime zërat se do të ketë qeveri gjithëpërfshirëse, pasi koalicioni po funksionon shumë mirë.

“Mendoj se zërat për qeveri gjithëpërfshirëse janë spekulime. Koalicioni po funksionon mirë, madje në votimin e buxhetit kanë qenë 65 vota”, tha ndër të tjera Time Kadrijaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat