Kosova mbështet integritetin territorial të Ukrainës

Aktuale

Kosova mbështet integritetin territorial të Ukrainës

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 13:38
Foto ilustrim

Në pesë vjetorin e aneksimit të Krimeas nga Rusia, Kosova mbetet e palëkundur në mbështetjen e saj për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Jashtme të Kosovës thuhet se  vendi ynë sikurse edhe  shtetet tjera paqedashëse, që janë të përkushtuara për rregullin dhe rendin ndërkombëtarë nuk mund të mbetet e heshtur përballë deklarimeve ruse të aneksimit të këtij territori sovran të Ukrainës, ashtu siç nuk mund të mbetet e heshtur përderisa Rusia vazhdon keqtrajtimin sistematik dhe të padrejtë të tartarëve të Krimeas.     

“Kosova shpreh shqetësimin e saj të thellë në lidhje me keqësimin e represionit në Krimean e okupuar nga Rusia dhe thërret Rusinë, që të ndalojë abuzime të tilla dhe të lirojë të gjithë tartarët nga Krimea dhe shtetasit e tjerë nga Ukraina (rreth shtatëdhjetë), që janë burgosur në mënyrë të gabuar dhe si hakmarrje për mospajtimin e tyre paqësor”, thuhet në komunikatë. 

Ndryshe, para pesë vjetësh Rusia mori në mënyrë jo-ligjore dhe me forcë Krimean, duke minuar  parimet ndërkombëtare dhe obligimet e tij, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit të vitit 1975 dhe Marrëveshjet e Parisit të vitit 1990.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat