Drejtori i Trepçës, Jovan Dimkiç del kundër Kosovës

Aktuale

Drejtori i Trepçës, Jovan Dimkiç del kundër Kosovës

Nga: F. B. Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 18:24
Ilustrim

Drejtori gjeneral i Trepçës në veri Jovan Dimkiç ka deklaruar se Serbia, pa marr parasysh situatën e rëndë aktuale për shkak të paralajmërimit të Prishtinës për regjistrimin e Trepçës si kompani e re, do të vazhdojë të angazhohet për zgjidhje për kombinatin, shkruan “Tanjug”, transmeton “Bota sot”.

Ai ka theksuar se do vazhdojnë të gjejnë zgjidhje për kombinatin prej të cilit direkt apo indirekt varen 35 për qind e serbëve në veri të krahinës.

"Atë ligj dhe zgjidhjet ligjore nuk do të aplikohen", ka thënë Dimkić për Tanjug, pas takimit të Vuçiqit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Dimkiç ka thënë se ende është e paqartë çka do të ndodh nga paralajmërimi i Prishtinës.

“Paralajmërimi për regjistrimin e kompanisë deri në fund të shkurtit ka rritur shqetësimin e menaxhmentit, të gjithë qytetarëve në veri të Kosovës por edhe të organeve shtetërore të Serbisë", ka thënë Dimkiç duke shtuar se regjistrimi i kompanisë së re është një ndër hapat e fundit të implementimit të Ligjit për Trepçën të miratuar në vitin 2016.

Sipas tij, nuk ka shumë mekanizma në rregulloret e Kosovës që janë në fuqi që mund të mbrojnë interesat serbe.

"Por në këtë situatë që duket e pamundshme për zgjidhje, do të tentojmë që gjejmë zgjidhje në mënyrë që të vazhdojmë aktivitetet e rregullta, të krijojmë të ardhura në harmoni me përmbushjen e obligimeve ndaj punëtorëve, furnizuesve etj…", tha ai.

Drejtori ka vlerësuar se zgjidhjet ligjore të Prishtinës janë të papranueshme sepse mund të shkatërrojnë modelin e funksionimit. “Nuk duam të aplikojmë ligjet që shkojnë në dëm të kompanisë qoftë edhe nëse neglizhohet vendimi i padrejtë i pronësisë, nuk duam që ky ligj të na shkatërroj modelin në bazë të cilit funksionojmë dhe ajo ka të bëjë me ndryshimin e strukturës dhe natyrën e drejtimit të kombinatit", ka thënë Dimkiç.

Ai ka përkujtuar se nga Trepça direkt varen 3 mijë qytetarë, përkatësisht 2 mijë e 400 punëtorë, nëse hiqen ata që janë zhvendosur dhe që kanë marr kompensim, derisa të tillë janë shumë ata me të cilët kemi raporte.

Në këtë rast në mënyrë indirekte nga kombinati varen 30 deri 35 për qind e popullatës serbe që jeton në Kosovë ka thënë Dimkiç.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat