Selmanaj: Thaçi dhe Haradinaj po e vënë në pikëpyetje raportin me SHBA-në për ta shpëtuar veten

Aktuale

Selmanaj: Thaçi dhe Haradinaj po e vënë në pikëpyetje raportin me SHBA-në për ta shpëtuar veten

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 17:30
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka folur rreth zhvillimeve aktuale në vend, dhe qëndrimin që mbanë partia e tij rreth këtyre zhvillimeve.

Selmanaj ka thënë se kjo klasë politike e cila po udhëheq me vendin është duke i vënë në pikëpyetje raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Takimet me ambasadorin Kosnett shpesh herë kanë qenë të ashpra. Nuk është çështje e parëndësishme vendosja e taksës, dhe a e meriton Serbia këtë normalisht që po, mirëpo ndërmarrja e masave ndaj Serbisë pa partneritet me miqtë tanë, ne nuk mund të dalim fitues”, ka thënë Selmanaj.

Ai shtoi se tendenca për t’i dëmtuar raportet me SHBA-të ka nisur qysh me iniciativën e krerëve të shtetit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, të cilën amerikanët e quajtën “thikë pas shpine”.

“Kjo tendencë për ti dëmtuar raportet me SHBA-të ka një histori. Së pari iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pastaj mënyra sesi z.Thaçi tentoi ta bëjë transformimin e FSK-së, të gjitha këto nënkuptojnë se ne po e vëmë në pikëpyetje raportin me SHBA-të”, u shpreh Selmanaj.

Selmanaj tha se këto lëvizje udhëheqësit politikë janë duke i bërë për interesa të tyre personale.

“Thaçi e ka për të shpëtuar nga Gjykata Speciale e Haradinaj e ka për të qëndruar në pushtet për ta fituar edhe një million ma shumë se që ka”, tha Selmanaj.

Më tej, deputeti i LDK-së, theksoi se nëse Haradinaj nuk do ta vendoste taksën kjo qeveri do të rrëzohej.

“Këta nuk kanë gjuhë të përbashkët, këta kanë gjuhë të përbashkët vetëm për vazhdimin e mandatit dhe keqpërdorimin e parasë publike”, u shpreh Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat