SHBA mund të heqë bazën e Bondstilit, Gashi: Amerikanët na paralajmëruan për sanksione edhe më serioze

Aktuale

SHBA mund të heqë bazën e Bondstilit, Gashi: Amerikanët na paralajmëruan për sanksione edhe më serioze

Më: 28 shkurt 2019 Në ora: 20:47
Dardan Gashi

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e vazhdojnë presionin e tyre ndaj Kosovës për pezullimin ose heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnjë Hercegovina. Së fundmi, një delegacion amerikan i kryesuar nga John Earth dhe Brad Berkley kanë kërkuar të shfuqizohet kjo masë,  përndryshe shteti mik i Kosovës do të vazhdojë me sanksione edhe më serioze.

Sot u raportua se zyrtarët e lartë amerikanë në një takim me liderët politikë u kanë kërkuar që të largojnë taksën ose Amerika do të tërheqë trupat amerikanë dhe të shuajë bazën e Bondstilit në Kosovë.

Një gjë të tillë nuk e ka mohuar as zv/kryeministri Dardan Gashi i cili ka qenë pjesë e takimit me amerikanët sot. Ai ka treguar se John Earth dhe Brad Berkley kanë qenë shumë të ashpër dhe kanë paralajmëruar sanksione edhe më serioze ndaj shtetit kosovar.

‘’Ka pasë biseda shumë serioze dhe shumë të hapura. Ndër të tjerash është përmendur edhe mundësia e ndonjë sanksioni më serioz për Kosovën’’, ka thënë Gashi.

I pyetur drejtpërdrejt nëse heqja e bazës të Bondstilit do të jetë sanksioni i radhës, Gashi ka thënë se është vendim ekskluziv i Shteteve të Bashkuara, por ata natyrisht janë shumë të irrituar me qëndrimet tona që nuk po i dëgjojmë.

“Atë e kanë shprehur vazhdimisht, nuk është hera e parë. Edhe kanë ngjarë me paralajmëru se sanksionet që i kanë vendos deri më tani, sanksionet që vec e dini që kanë qenë publike. Mund të pasojnë me sanksione më serioze. Kanë qenë shumë serioze ato që i kanë paralajmëruar se mund të ndodhin. Nuk po e mohoj që kanë paralajmëru heqjen e kampit të Bondstilit, megjithatë kanë folur për sanksione shumë serioze që ndikojnë edhe për sigurinë e Kosovës por edhe që mund t’i dëmtojnë shumë seriozisht marrëdhëniet me shtetet e Bashkuara të Amerikës’’, ka theksuar Gashi.

John Earth dhe Brad Berkley, janë dy zyrtarët e lartë amerikanë, që dje kanë arritur për vizitë në Kosovë. Gjatë ditës së djeshme, ata janë takuar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj. Në këtë takim, dy zyrtarët e lartë amerikanë, kanë ripërsëritur mesazhin e qartë të Shtëpisë së Bardhë, atë se taksa ndaj Serbisë duhet të pezullohet dhe t’i hapet rrugë dialogut.

Kujtojmë se që nga vendosja e taksës, kryeminsitri Ramush Haradinaj në vazhdimësi po del kundër kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e taksës, si një kusht që të ecet tutje në dialog.

Kryeneçësia e Haradinajt, është një nga dëmet më të mëdha që po ndikon në raportet SHBA – Kosovës dhe në të ardhmen, këto dëme mund të bëhen të pariparueshme.

Kujtojmë edhe faktin se SHBA ka anuluar një sërë mbështetjesh për Kosovën, që kanë të bëjnë me pikë mjaft të ndjeshme, siç është ajo e FSK’së dhe kryesisht – programe që lidhen me trajnime të sigurisë.

Në prag të festës së Pavarësisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ia patën ndaluar një prej gjeneralëve më të respektuar të Ajovas, Timothy Orr, vizitën që e kishte paralajmëruar në Kosovë, pikërisht shkaku i refuzimit të heqjes së taksës.

Ndryshe, Kampi Bondstil është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë. Ajo është e vendosur  afër Ferizajt dhe shërben si kryeqendër e NATO’s për Task Forcën Shumëkombëshe të Lindjes.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat