Demi dyshon se gjykatat kanë guxim të arrestojnë Lushtakun nëse s’e paguan gjobën për gjuajtje me armë

Aktuale

Demi dyshon se gjykatat kanë guxim të arrestojnë Lushtakun nëse s’e paguan gjobën për gjuajtje me armë

Më: 1 mars 2019 Në ora: 23:04
Agron Demi

Agron Demi nga Instituti GAP ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës në lidhje me rastin e gjuajtjes me armë nga Endrit Shala, Dardan Gashi e Sami Lushtaku.

Demi ka hedhur dyshime në gjykatat e Kosovës se do të jenë në gjendje të arrestojmë ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun, në rast se ky i fundit nuk e paguan gjobën prej 1.700 eurosh të vënë në gjykata.

“A beson ndokush se Sami Lushtaku do t’i paguajë shtetit 1.700 euro gjobë për gjuajtje me armë? Paramendojeni (edhe pse është e vështirë të paramendohet) një situatë kur gjykata jep urdhër të arrestohet Lushtakun sepse nuk i ka paguar 1.700 euro. Nuk po guxon ta arrestojë e dënojë për gjuajtje me armë, për kërcënim të gjykatësit, për uzurpim... e po guxon ta arrestojë për 1.700 euro”, ka shkruar Demi në Facebook.

Demi kujton se si para disa vitesh, të njëjtat gjykata e patën dënuar me dy vjet burgim një qytetar të Obiliqit se i kishte vjedhur dy kilogramë hekur. “Po ama hekuri që e ka vjedhë ai nuk ka funksionuar me barut, e nuk e ka frikësuar gjykatësin sikurse hekuri me të cilin sillen Lushtaku me shokë”, ka përfunduar Demi.

Gjykata Themelore e Gjakovës, dega në Malishevë ka shpallur fajtorë të akuzuarit për posedim të paautorizuar të armëve, zëvendëskryeministrin Dardan Gashi, ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala dhe ish-kryetarin e Skenderajt Sami Lushtaku, duke u shqiptuar vetëm dënim me gjobë.

Gashi është dënuar me 1 mijë e 700 euro gjobë. Nëse këtë gjobë nuk e paguan brenda 15 ditëve, kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, Gjykata dënimin do ta zëvendësojë me 85 ditë burgim.

Shala është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 mijë e 400 euro gjobë. Nëse i njëjti nuk e paguan dënim me gjobë brenda 15 ditëve kur vendimi të bëhet i plotfuqishëm, ministrit Shala Gjykata do t’ia zëvendësojë dënimin me gjobë me 120 ditë burgim.

Dënim me gjobë ka marrë edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është dënuar me 1 mijë e 700 euro.

Fajtorë në këtë rast janë shpallur edhe tre të akuzuarit e tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati, duke u dënuar secili me nga 1 mijë e 700 euro gjobë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat