Ministrja franceze: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’duhet të ketë vija të kuqe nga BE’ja - Bota Sot
Ministrja franceze: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’duhet të ketë vija të kuqe nga BE’ja

Aktuale

Ministrja franceze: Zgjidhja Kosovë-Serbi s’duhet të ketë vija të kuqe nga BE’ja

Më: 2 mars 2019 Në ora: 23:52
Nathalie Loiseau

Nathalie Loiseau, ministrja franceze e Çështjeve Evropiane, në një intervistë për gazetën “La Croix”, ka thënë se nuk varet nga vendet tjera se si do të arrijnë zgjidhjen Kosova dhe Serbia.

E pyetur nëse shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë (veriu i Kosovës me shumicë serbe në këmbim të Luginës së Preshevës të banuar me shumicë shqiptare në Serbi), ministrja franceze thotë se nuk duhet të ketë vija të kuqe nga Bashkimi Evropian nëse palët arrijnë marrëveshje që çon në paqe.

“Nuk është në dorën e vendeve të jashtme që të vendosin për kushtet e zgjidhjes së mosmarrëveshjes. Ne nuk kemi vija të kuqe për palët. Mbajtja hapur e çështjes së Kosovës nuk është zgjidhje. Është në dorën e vendeve të Ballkanit t’i zgjidhin mospajtimet. Nëse shfaqet një zgjidhje e pranueshme nga Beogradi dhe Prishtina dhe e cila do të sillte paqen, kush jemi ne të themi se kjo nuk është paqja që ne e dëshirojmë?”, ka thënë ministrja Loiseau.

Ajo thekson se kjo zgjidhje duhet të garantojë stabilitet rajonal, përfshirë edhe integritetin e Bosnjës e Hercegovinës.

Duke folur për dialogun mes dy vendeve, ministrja franceze thotë se prioritet i Bashkimit Evropian duhet të jetë investimi në Ballkanin Perëndimor për të fituar paqen.

“Sapo kam vizituar Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian ndoshta s’ka investuar mjaftueshëm në mënyrën e fitimit të paqes në Ballkan. Ky duhet të jetë një prej prioriteteve tona. Kur palëve u lihet në dorën e tyre, negociatat ngrijnë. Vendimi i Kosovës për të vënë taksë 100% ndaj mallrave serbe është shkatërrues për dialogun”, thekson ajo.

Ajo thotë se Ballkan nuk ka ‘status quo’, pasi, siç shprehet ministrja franceze, “gjërat ose shkojnë në drejtim të duhur ose në drejtim të gabuar”.

“Ka pritje të mëdha që Bashkimi Evropian do të jetë më aktiv me ta. Krerët e shteteve kanë diskutuar mes vete, por ndoshta kjo nuk mjafton. Ndoshta duhet marrë parasysh një proces më përfshirës që integron aktorë të ndryshëm politikë”, është shprehur Nathalie Loiseau, ministrja franceze e Çështjeve Evropiane.

Ajo thotë se Franca është larguar paksa nga rajoni i Ballkanit, por thotë se ka vullnet që të investojë në rajon.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat