Hoxha merr kritika të mëdha nga deputetët

Aktuale

Hoxha merr kritika të mëdha nga deputetët

Më: 4 mars 2019 Në ora: 12:08
Hoxha merr kritika të mëdha nga deputetët

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane kanë bërë një varg kritikash ndaj ministres së Integrimeve Evropian, Dhurata Hoxha, për mos zbatimin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) dhe Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), që ka rezultuar me humbjen e dhjetëra miliona eurove nga Bashkimi Evropian.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Hoxha ka thënë se nuk qëndron fakti se kjo Ministri nuk ka angazhim serioz për çështjen e liberalizimit.

Deputeti Ismet Beqiri nga LDK theksoi se është me rëndësi të thuhet se zgjedhjet në Parlamentin Evropian, korrupsioni dhe krimi i organizuar shuajnë shpresat se do të ketë shpejt liberalizim të vizave.

“Ne kemi probleme të mëdha për sundim të ligjit dhe korrupsion. Kjo është një pengesë që na thuhet çdo kund, se në Kosovë ka korrupsion, ka krim të organizuar. Andaj, fokusi duhet të jetë duke luftuar krimiin e organizuar dhe korrupsionin. Sot është qesharake të dënohen të pandehurit me 20 euro ndërsa lihen të lirë milionerët e dyshimtë”, tha Beqiri.     

Deputeti Milaim Zeka nga Nisma Socialdemokrate theksoi se ka pasur mjaft gënjeshtra nga pushtetarët se do të ketë viza.

“Të gjithë kanë rrejt se do të bëhet liberalizimi, dhe vendimi për vizat është vendim politik dhe ka me qenë vendim politik.20 deputetë jemi me akuza dhe nuk i ngritet një deputeti aktakuza për hakmarrje politike. Organet e drejtësisë janë të zhytura na krim skajshmërisht”, tha Zeka.

Deputetja Fatmire Kollçaku nga Vetëvendosje tha se ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit janë në fund të listës për zbatimin e masave të MSA-së. Ajo shtoi se Kosova ka dështuar në planin e integrimeve. “Derisa të dëgjova duke raportuar ju si ministre e Integrimeve për zbatimin e masave të MSA-së, mendova se jam në Gjermani. Duhet përmend se nuk ka zbatueshmëri të kënaqshme dhe si duhet të masave të kërkuara nga BE. Andaj, duhet verifikuar zbatimi në terren, sepse në letër është ndryshe”, deklaroi Kollçaku.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit Blerta Deliu Kodra duke iu referuar rastit të fundit të anëtarit të Bordit të Telekomit, ka kërkuar nga ministrja Hoxha që të ndalen punësimet në borde që janë politike. 

Lidhur me këtë, deputeti Milaim Zeka ka pranuar se rasti i anëtarit të Bordit më Telekom, Osman Ejupi që i ka punësuar fëmijët e tij në këtë kompani është nga radhët e NISMA-s. Ndërsa, ministrja Hoxha ka thënë se kohëve të fundit ka pasur spekulime se Kosova kinse ka humbur miliona euro nga Bashkimi Evropian për shkak të performancës së dobët për zbatimin e MSA-së.

“Kosova nuk ka humbur as edhe një cent në këtë drejtim”, ka thënë ajo. Hoxha ndër të tjera ka thënë se sa i përket taksës ndaj Serbisë, kjo Ministri nuk ka marr ndonjë reagim që mund të ketë ndërlidhje me liberalizimin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat