Blakaj rrëfen fatin e trishtë të vëllezërve Bytyqi: U kapën në kufi nga policia serbe, derisa po i bënin një nder fqinjit

Aktuale

Blakaj rrëfen fatin e trishtë të vëllezërve Bytyqi: U kapën në kufi nga policia serbe, derisa po i bënin një nder fqinjit

Më: 4 mars 2019 Në ora: 22:16
Varret e vëllezërve Bytyqi

Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, Bekim Blakaj, në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini, ka treguar detaje nga arrestimi dhe vrasja e vëllezërve Bytyqi, që ishin kthyer nga Amerika për të luftuar në Kosovë.

Blakaj ka thënë se në bazë të dhënave që posedon FDH, vëllezërit Bytyqi pas përfundimit të luftës i janë përgjigjur fqinjit të tyre rom, që dëshironte të largohej nga Kosova.

“Në momentin që po dërgonin fqinjin e tyre rom në Serbi, ata nuk e kanë ditur se ku është kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që në atë kohë nuk kishte sinjalizime të qarta. Si duket ata e kanë kaluar vijën kufitare dhe janë arrestuar nga policia serbe”, tha Blakaj.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) në Kosovë, ka thënë se në fillim vëllezërit Bytyqi janë dënuar për kalim ilegal kufiri, por më pas është kuptuar gjithçka kur mendohet se atyre u janë gjetur disa logo të UÇK-së.

“Pas arrestimit nga një gjykatë në Prokuple janë dënuar me 14 ditë burg me arsyetimin për kalim ilegal të kufirit. Pra asnjë vepër tjetër nuk figuronte për ta, pos kalimit ilegal të kufirit. Më pas si duket policia serbe ka kuptuar saktësisht se kush janë ata, pasi u janë gjetur emblema të UÇK-së”.

“… dy-tri ditë para se të skadojë afati i burgimit, ka ardhur dikush nga policia i ka marrë. Gjoja se janë liruar nga burgu dhe janë transportuar në një qendër të policisë speciale, ku edhe mendohet se janë ekzekutuar”.

Blakaj tregon se vëllezërit Bytyqi janë gjetur në një varrezë masive me duar të lidhura e sy të mbyllur, bashkë me viktima tjera.

“Disa vite më vonë ata janë gjetur në një varrezë masive, të lidhur me duar mbrapa me tel dhe me sy të lidhur me shami. Përgjegjës për vrasje ka qenë edhe Goran Radosavleviq – Guri, që ka qenë i përfshirë edhe në masakrën e Reçakut”.

Blakaj ka thënë se personat që kanë marrë vëllezërit Bytyqi nga burgu serb ku po mbaheshin, përkundër që janë gjykuar një kohë, janë liruar si të pafajshëm.

“Edhe Goran Radosavleviq – Guri është marrë si dëshmitar i rastit e jo si i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bytyqi”, tregon Blakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat