Islami: Deklarata luftënxitëse nga Beogradi, Serbia nuk mund të ndërhyjë në veri

Aktuale

Islami: Deklarata luftënxitëse nga Beogradi, Serbia nuk mund të ndërhyjë në veri

Më: 4 mars 2019 Në ora: 22:44
Avni Islami

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka komentuar deklaratat e luftënxitëse të Kryetarit të ashtuquajturit Komision Parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun, i cili tha se Beogradi  do të ndërhynte në veri të Kosovës vetëm nëse shqiptarët i sulmojnë serbët dhe KFOR-i nuk do t’i mbronte ata.

Islami në një deklaratë ka thënë se deklaratat luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të shtetit serb, drejtohen kundër përmirësimit të marrëdhënieve mes dy popujve.

“Konsideroj se deklaratat e zyrtarëve të lartë serb kanë dy qëllime. E para për konsum të brendshëm, për shkak se kohët e fundit janë shtuar protestat e opozitës serbe ndaj presidentit serb që po e quajnë diktator. Dhe, e dyta, me këto deklarata po përpiqen ta forcojnë pozicionin e tyre ndaj ndërkombëtarëve në raport me Kosovën në bisedimet përfundimtare për një nënshkrim të marrëveshjes. Kështu deklaratat duke filluar nga Presidenti, Ministri i Mbrojtjes, pastaj udhëheqësi i grupit parlamentar për siguri në serbi, të gjitha janë deklarata nacionaliste, fashiste, të cilat drejtohen kundër përmirësimit të marrëdhënieve dhe pajtimit ndërkombëtar të të dyja etniteteve”, ka thënë ai.

Islami ka thënë se çdo sulm ndaj veriut të Kosovës është sulm ndaj KFOR-it.

“Kështu deklaratat luftënxitëse se nëse ndërhynë Ushtria e Kosovës në atë pjesë, ndërhyn edhe Beogradi, janë ndërhyrje taktike dhe sulm ndaj Aleancës Veri Atlantike. Kjo për shkak që KFOR-i është i mandatuar edhe me Rezolutën 1244, edhe në Këshillin e Sigurimit që ta mbrojë integritetin dhe sovranitetin e vendit. Çdo sulm ndaj veriut të Kosovës do të ishte sulëm ndaj KFOR-it. Andaj nuk pres që në një aventurë të tillë do të hynte Serbia për shkak që ajo e ka provuar forcën e NATO-së, dhe lufta klasike ka përfunduar. Edhe opinioni serb edhe shqiptarët që jetojnë në veri i kanë kuptuar tendencat e zyrtarëve serbë”, ka theksuar Islami, për Telegrafin.

Ndër të tjera Islami tha se deklarata e kryeministrit Haradinaj që Forcat e Sigurisë së Kosovës, janë të gatshme për të ndërhyrë në çdo cep të vendit nëse përkeqësohet gjendja, është deklaratë e bazuar në Kushtetutë.

“Sa më afër që po afrohet koha e zgjidhjes së problemit qindra vjeçar të popullit shqiptar dhe atij serb, aq më tepër po ngriten tensionet dhe retorika nacionaliste e shtetit serb. Në fakt përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, apo thënë më mirë kryeministri Haradinaj, deklaratën e tij që Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme në çdo kohë ta ruajnë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit në çdo përkeqësim të gjendjes, është deklaratë që bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe është në mandatin e Kryeministrit si dhe Presidentit të Kosovës që ta ruajnë sovranitetin dhe integritetin territorial. Andaj duhet kujtuar zyrtarëve serbë që lufta klasike ka përfunduar, dhe se çdo sulm i tyre në veri është kundër NATO-s.

Ndryshe, deklarata kërcënuese e luftënxitëse ndaj Kosovës gjatë dy ditëve të fundit kanë bërë edhe Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë Serbe, Nebojsha Stefanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat