Thaçi për Epopenë e UÇK-së: Falë tyre gëzojmë frytet e lirisë dhe pavarësisë

Aktuale

Thaçi për Epopenë e UÇK-së: Falë tyre gëzojmë frytet e lirisë dhe pavarësisë

Më: 5 mars 2019 Në ora: 13:16
Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e shënimit të 21-vjetorit të Epopesë të UÇK-së, ka bërë sot homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Nga Prekazi historik, i pari i shtetit tha se gjithmonë do ta përkujtojë me krenari sakrificën që bëri që gjithë bota të ndryshojë qëndrimin karshi Kosovës dhe të mobilizojë gjithë kombin shqiptar që të bashkohet për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Presidenti Thaçi tha se do të punojë shumë që Kosova të ketë rrugëtim të sigurt drejt BE-së, NATO-s dhe ruajtjes së raporteve me SHBA-në.

Thaçi: Sot gëzojmë frytet e lirisë dhe të pavarësisë

“Jemi duke bërë nderimet më të larta shtetërore me Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që është epopeja më e lavdishme e luftës sonë, projektit më madhor dhe të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithmonë kur përkujtojmë 5,6 dhe 7 marsin përkujtojmë atë sakrificë të jashtëzakonshme. Atë sakrificë që bëri bota të ndryshojë për Kosovën që gjithë kombi shqiptar të bashkohet për luftë për liri dhe pavarësi të Kosovës, dhe sot gëzojmë frytet e lirisë dhe të pavarësisë në rrugëtimin tonë të sigurt për t’u integruar në Bashkim Evropian, NATO dhe kultivuar raporte speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Thaçi.

Gjatë ditës së sotme për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së është mbajtur ceremoni solemne në Kazermën e FSK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat