Dorëheqja e kryetarëve serbë la të ‘paralizuara’ katër komuna të veriut

Aktuale

Dorëheqja e kryetarëve serbë la të ‘paralizuara’ katër komuna të veriut

Më: 5 mars 2019 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Zveçani tash e disa kohë kanë mbetur pa kryetar.

Vendimi për taksën u bë shtysë që këta katër kryetarë komunash, të japin dorëheqje nga postet e tyre.

Mirëpo, çështja në fjalë ka mbetur pezull për shkakun se ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ua pranoi format e dorëheqjeve.

Kjo për shkakun se të njëjtit në letrat e tyre institucioneve shtetërore i ishin referuar si institucione të “Kosovës dhe Metohisë”.

Këtë e konfirmon edhe zëvendësministri i Administratës Publike, Beqir Fejzullahu. Ai thotë se në formën aktuale, këto dorëheqje nuk janë të pranueshme.

“Në këtë formë në të cilën janë dërguar, ato janë refuzuar. Arsye e refuzimit është se të njëjtit shtetit të Kosovës i janë referuar si Kosovë e Metohi. Po ashtu ata e kanë tejkaluar afatin ligjor”, thotë Fejzullahu.

Sipas zëvendësministrit, kjo çështje tashmë ka marrë karakter politik të nivelit qendror.

“Çështja më shumë tanimë i përket një karakteri politik të nivelit qendror. Ne jemi në kontakt me punëtorët e komunave dhe gjithherë u japim informata për mënyrën se si duhet  të veprojmë”, ka thënë Fejzullahu.

E pas vendimit  të katër kryetarëve serbë të komunave, është defunksionalizuar edhe puna në institucione komunale.

Asamblistja nga radhët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Gonxhe Çaushi, thotë se që nga dorëheqja e kryetarit, nuk është mbajtur asnjë seancë. Megjithatë, sipas saj në këtë komunë nuk është vërejtur ndonjë përkeqësim i situatës së sigurisë

“Situata në Veriun e Mitrovicës pas dorëheqjes së kryetarit Rakiq, ka qenë kryesisht e qetë dhe nuk është vërejtur ndonjë ndryshim përpos që nga dorëheqja e tij, Kuvendi Komuna nuk ka mbajtur  ende asnjë seancë”,  thotë ÇaushI.

Theksojmë, se dorëheqjeve të katër kryetarëve serbë të komunave u kishte paraprirë vendimi për rritjen e taksës nga 10 në 100 për qind.

Në lidhje me këtë vendim kishte folur edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Ai kishte thënë se dokumentet e paraqitura nga katër ish-kryetarët i njeh as kushtetuta e vendit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat