Britania kundër korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, reagon Edita Tahiri

Aktuale

Britania kundër korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, reagon Edita Tahiri

Nga: A.ZH Më: 6 mars 2019 Në ora: 10:38
Deputeti laburist, John Grogan

Britania e Madhe dje është deklaruar kundër ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi. Ministri britanik për Evropë, Sir Alan Duncan, në debatin e zhvilluar të martën për marrëdhëniet Britani e Madhe-Kosovë, ka thënë se një marrëveshje me ndryshime kufiri, rrezikon stabilitetin Kosovë-Serbi.

“Arritja e marrëveshjes e bazuar në ndryshimin e kufijve, rrezikon stabilitetin në Kosovë-Serbi dhe rrezikon të vendos një precedent që mund të shfrytëzohet nga palët e treta në rajon dhe më tej”, ka thënë Duncan.

Ndërsa, deputeti laburist, John Grogan, ka thënë se për çështje korrigjimit të kufijve janë shpenzuar shumë para në Londër dhe kryeqendra tjera.

“Jam i kënaqur që javën e kaluar Presidenti i Kosovës (Hashim Thaçi) tha se këmbimi i territoreve nuk do të ndodhë kurrë. Para një viti ai fliste për korrigjim kufijsh me Serbinë, por kjo ishte qasje e gabuar. Janë shpenzuar para bukur të mëdha për lobim në Londër dhe gjetiu për këtë çështje, por jam i kënaqur që Presidenti e ka ndërruar qasjen. Kryeministri dhe Parlamenti (i Kosovës) me të drejtë kundërshtonin këmbimet territoriale, korrigjimet e kufijve apo çfarëdo të quhen ato. Këto mund të jenë shumë destabilizuese në Ballkan”, ka deklaruar ai.

E duke komentuar në lidhje me këtë, ish-kryenegociatorja e Kosovës Edita Tahiri, e ka quajtur debatin si “të shkëlqyeshëm”.

Ajo ka thënë se ky debat i parlamentarëve britanikë në mbrojtje të Kosovës, meriton mirënjohjen nga populli i Kosovës, përcjell Bota sot.

“Britania e Madhe, aleatja jonë strategjike në luftë dhe paqe është kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Dje ishte një debat i shkëlqyeshëm i parlamentarëve britanik në mbrojtje të Kosovës - meriton mirënjohjen e lartë nga gjithë ne, popullit të Kosovës”, ka shkruar Tahiri./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat