Murtezaj s’sheh përparim në dialog pa kërkuar Serbia falje për tragjeditë që ka shkaktuar

Aktuale

Murtezaj s’sheh përparim në dialog pa kërkuar Serbia falje për tragjeditë që ka shkaktuar

Më: 6 mars 2019 Në ora: 19:24
Valon Murtezaj

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Valon Murtezaj, ka thënë se në procesin e dialogut me Serbinë nuk mund të injorohen faktet historike.

Murtezaj ka thënë se synimi duhet të jetë që të arrihet një marrëveshje e mirë, e jo e shpejtë siç po kërkohet tani.

“Procesi i dialogut të Brukselit shpeshherë ka devijuar përtej temave që duhet të jenë në këtë dialog. Ashtu siç e kemi thënë në konferencë, gjashtë marsi është koincidencë e një masakre të një familje të tërë dhe në çdo proces negociator ka qenë kjo ngjarje që ka vu në lëvizje ingranazhin ndërkombëtar. Duhet të merret parasysh historiku gjatë dialogut. Nëse injorohen faktet, nëse njëra palë nuk kërkon falje për tragjeditë që i ka shkaktuar atëherë minimizohet potenciali për të arritur një marrëveshje të mirë. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje e mirë, jo e shpejtë siç po kërkohet sot”, ka thënë Murtezaj.

Sipas tij së pari duhet të fillohet me jetët e njerëzve, më pas të zhdukurit, pronat e dëmtuara, dhuna e shkaktuar edhe para vitit 98-99, një periudhë shumë e vështirë e diskriminimit të madh që i është bërë shqiptarëve vetëm shkaku se ka qenë një etni tjetër.

Murtezaj ka kujtuar rastin e Gjermanisë që ka kërkuar falje, e më pas ka vazhduar me proceset e tjera, e që fatkeqësisht, siç thotë ai, Serbia nuk po e bën një gjë të tillë, përkundrazi.

“Të gjitha këto po injorohen. E përparim ka pasur vetëm kur janë pranuar këto gjëra. E kemi rastin e Gjermanisë e cila e ka bërë atë dhe ka lëvizur përpara. Sot fatkeqësisht nuk po bëhet kjo me Serbinë, mjafton me i parë deklaratat e protagonistëve në Serbi të cilët edhe ishin pjesë e asaj kohe e ata do të duhej të kërkonin falje”, u shpreh Murtezaj.

Murtezaj theksoi se në dialog nuk duhet të diktohet Kosova nga sjellja, çoftë edhe destruktive e Serbisë.

Ai një pjesë të fajit ia lë edhe Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i këtij dialogu.

“Një pjesë të fajësisë e ka edhe ndërmjetësimi, nganjëherë në proceset e tilla ata që ndërmjetësojnë përpiqen ta injorojnë të kaluarën. E kjo nuk mund të bëhet. Nuk mund të zgjohesh një ditë në mëngjes dhe të themi ta nisim nga sot sepse është historiku e nuk mund të niset nga sot edhe nëse ekziston dëshira. Veprimi i parë është kërkim falja. Edhe gjatë procesit negociator i bëni disa gjeste që i falni, ne mund të falim por nuk harrojmë. E kjo do të hapte rrugë për marrëveshje të mira e me potencial”, ka thënë Murtezaj.

Ai ka shtuar se sot liderët në Serbi flasin thuajse asgjë s’ka ndodhur.

“Diskursi hegjemonist i Serbisë 150 vjeçar vazhdon edhe sot. Negociatorët janë njerëz me përjetime, e dialogu bëhet për të adresuar interesat e qytetarëve. Është e pamundur të anashkalohet historia. Mos zbatimi i marrëveshjeve është treguesi kryesor se gjërat nuk kanë shkuar si duhet, pasi palët dhe ndërmjetësuesi kanë bërë improvizime. Kosova, nga të tre palët në negociata, ka fajin më të vogël”, u shpreh Murtezaj.

Murtezaj insiston se nuk do të duhet të vihet në pikëpyetje integriteti territorial i Kosovës.

“Këto që po fliten në kohët e fundit, nuk do të duhej të flitej asnjëherë – sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës. Nuk besoj se kjo do të ndodhë, pasi kjo nuk pranohet nga qytetarët e kjo është shumë e rëndësishme. Të dyja shtetet synojnë të hyjnë në BE, e nuk mund të ndodhë ndryshimi në baza etnie”, u shpreh ai

Sipas tij Kosova është shtet që ka nevojë edhe 20-30 vite që të konsolidohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat