Pse Haradinaj thirri seancë të jashtëzakonshme, dy ditë para se të vijë zyrtari amerikan

Aktuale

Pse Haradinaj thirri seancë të jashtëzakonshme, dy ditë para se të vijë zyrtari amerikan

Më: 6 mars 2019 Në ora: 21:33
Ramush Haradinaj

Haradinaj shumë shpejt do ta heqë taksën , e cila acaroi skajshmërisht raportet brenda koalicionit, por më e rënda lëvizi raportet edhe me garantuesin e Pavarësisë së Kosovës, SHBA’në. Por para kësaj, ai ka bërë një kalkulim thjeshtë: të përfitojë nga elektorati me idenë se ishte i vetmuar në mbrojtjen e taksës dhe në të njëjtën kohë ta demonstrojë fuqinë e tij para ndërkombëtarëve se ai është ‘zgjidhja’ e vetme në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës që të ftojë seancë të jashtëzakonshme për miratimin e Ligjit dhe Platformës së Dialogut, për nesër në orën 09:00, dhe për këtë ka pasur një kalkulim.

Burime të Lajmi.net thonë se Haradinaj është në panik nga acarimi i partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe Nismës, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me sjelljet e tij për përfitime personale politike nga taksa dhe bllokimi i Dialogut.

Haradinaj ka mbajtur taksën që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, duke acaruar kështu skajshmërisht raportet me SHBA-në, ndërsa tani mësohet se shumë shpejt do ta heqë atë.

Kalkulimi i tij, siç thuhet, është i thjeshtë: të përfitojë nga elektorati me idenë se ishte i vetmuar në mbrojtjen e taksës dhe në të njëjtën kohë ta demonstrojë fuqinë e tij para ndërkombëtarëve se ai është zgjidhja e vetme në Kosovë.

Për këtë arsye, siç pohohet, kryeministri ka ftuar seancën e jashtëzakonshme, vetëm dy ditë para se në Kosovë të vijë për vizitë David Hale, Zëvendëssekretar i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Politike.

Hale do ta vizitojë Kosovën të shtunën me një mision të qartë:  zhbllokimin e kësaj situate të ngrirë që po ndërlikon jo vetëm Dialogun, por po rrezikon edhe raportet SHBA-Kosovë dhe interesat e të dyja vendeve.

Emergjenca e kërkimit të seancës së jashtëzakonshme, për LDK-në dhe Vetëvendosjen, është kundër çdo precedenti të deritashëm parlamentar, por duket edhe mundësi e Haradinajt për ta hequr taksën.

Po ashtu, burime nga Kabineti i Haradinajt theksojnë së shpejti do të ketë vendimmarrje për këtë çështje nga kryeministri, pasi të votohet Platforma për Dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat