Limaj: Sovraniteti dhe statusi i Kosovës të panegociushëm në bisedime me Serbinë

Aktuale

Limaj: Sovraniteti dhe statusi i Kosovës të panegociushëm në bisedime me Serbinë

Më: 7 mars 2019 Në ora: 12:25
Fatmir Limaj

Bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror për bisedime me Serbinë, Fatmir Limaj e ka paraqitur platformën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Pas paraqitjes së dokumentit zyrtar të kësaj platforme, Limaj ka thënë se parimet e së njëjtës do të jenë udhërrëfyese për këtë proces .

“Ne si delegacion shtetëror besojmë që Kosova nuk duhet t’i ikë tavolinës së bisedimeve. Parimet e Platformës do të jenë udhërrëfyese për këtë proces. Dialogu do të jetë plotësisht transparent dhe do t’i raportohet Kuvendit”, tha ai.

 Sipas Limajt, Kosova shkon në Bruksel për ta afirmuar shtetësinë, dhe jo për të negociuar atë.

“Ne shkojmë në Bruksel jo për të negociuar shtetin tonë, por për të afirmuar shtetin tonë”, tha ai.

 “Ne shkojmë në Bruksel për t’i dhënë mundësinë të dy vendeve për integrime evropiane. Jam i bindur që Kosova në dialogjet e deritanishme ka ditur ta nxjerrë më të mirën për vendin e vetë, dhe jam i bindur që me unitet të nxjerrim më të mirën edhe nga ky proces”, tha tutje ai.

 Limaj pati disa fjalë edhe për refuzimin që po bëhet nga opozita për platformën e dialogut, si dhe sjelljet e tyre në Kuvend.

“Refuzimi për të diskutuar për një platformë atëherë tregon synime tjera përveç mbrojtjes së interesit të vendit. Ftoj të gjithë që të votojnë Platformën dhe Kosova ta ketë zërin e vet”, shtoi ai.

Limaj tha se Statusi i Republikës së Kosovës, Sovraniteti dhe integriteti janë të panegocionueshëm. Limaj ka thënë se vetëm duke qenë unik do të dalin faqebardhë nga ky proces.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat