Krasniqi: Familja Jashari nuk është shuar, por dy të tretat e saj janë flijuar për liri dhe atdhe

Aktuale

Krasniqi: Familja Jashari nuk është shuar, por dy të tretat e saj janë flijuar për liri dhe atdhe

Nga: Z.B Më: 7 mars 2019 Në ora: 16:23
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate dhe ish – kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se, për t'u ringjallur duhet të kesh qenë i vdekur e populli i Kosovës ishte i gjallë, se vetëm të gjallët mund të luftojnë e të çlirohen, përcjell “Bota sot”.

Krasniqi ka thënë se, familja Jashari nuk është shuar, por dy të tretat e saj janë flijuar për liri dhe atdhe. Kanë mbijetuar dhjetë anëtarë të Jasharëve dhe sot familja Jashari është shtuar me shumë anëtarë të rinj dhe është më e fortë se kurrë.

Ai tutje ka shkruar "Familja Jashari u shua që të ringjallet populli i Kosovës", më konkretisht, "Të ringjallet populli i Kosovës", pjesë kjo që nuk ka ma dhe as kuptimin elementar logjik.

Postimi i plotë:

Shkruar enkas për ata që e flasin dhe e shkruajnë gjuhën gabimisht

TË FLASIM E TË SHKRUAJMË SAKTË GJUHËN E ËMBËL SHQIPE

Sot, më 7 mars 2019 në një gazetë të shkruar lexova, mbase kështu shkruan edhe në portale:"Familja Jashari u shua që të ringjallet populli i Kosovës". Në këtë fjali kemi dy gabime të mëdha logjike dhe jo vetëm logjike.

Pse?

Së pari, familja Jashari nuk është shuar, por dy të tretat e saj janë flijuar për liri dhe atdhe. Kanë mbijetuar dhjetë anëtarë të Jasharëve dhe sot familja Jashari është shtuar me shumë anëtarë të rinj dhe është më e fortë se kurrë. Ndërsa pjesa e dytë e fjalisë: "Familja Jashari u shua që të ringjallet populli i Kosovës", më konkretisht, "Të ringjallet populli i Kosovës", pjesë kjo që nuk ka ma dhe as kuptimin elementar logjik.

Pse?

Sepse, për t'u ringjallur duhet të kesh qenë i vdekur e populli i Kosovës ishte i gjallë, se vetëm të gjallët mund të luftojnë e të çlirohen!

Në raste të tilla, do të duhej të thuhet: Jasharët e Prekazit të Poshtëm, një pjesë e madhe e tyre u flijuan që populli i Kosovës të ishte i lirë, i pavarur dhe sovran. Por, nëse dëshirojmë çështjen ta reduktojmë në familjen e Adem Jasharit - Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë duhet thënë: Dy të tretat e familjes Jashari u flijuan që populli i Kosovës të jetë i lirë në atdheun e vet - Kosovën!

Në raste të tilla është mirë të përpiqemi të themi fjalë sa më të zgjedhura, por fjalët e zgjedhura duhet të kenë logjikë dhe kuptim të saktë! Mediet duhet të jenë ato që e mbrojnë saktësinë logjike dhe saktësinë gjuhësore!

Kjo, mbase na obligon si shoqëri e institucione që gjuhën e bukur shqipe ta bëjmë gjuhë të kompjuterit, që së paku gjenerata e re e shqiptarëve ta shkruajë drejt gjuhën shqipe, me qëllim që të mos vazhdojë degradimi i saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat