Përvjetori i 21-të i Epopesë së UÇK-së përmbyllet me koncert në Skenderaj

Aktuale

Përvjetori i 21-të i Epopesë së UÇK-së përmbyllet me koncert në Skenderaj

Më: 7 mars 2019 Në ora: 18:30

(E plotësuar) - Në përmbyllje 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, menjëherë pas ndezjes së flakadanëve në memorialin, “Adem Jashari” në Prekaz, komuna e Skenderajt ka mbajtur koncertin tradicional festiv për të nderuar veprën e familjes Jashari.

Në mesin e shumë qytetarëve që kishin ardhur për të ndjekur këtë koncert, u panë dhe përfaqësuesit e familjes Jashari, Rifat Jashari dhe Bekim Jashari njëherësh kryetar i Skenderajt.

Gjithashtu dhe ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetar komunash dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

 Sheshi, “Adem Jashari” në Skenderaj ishte i vogël për gjithë qytetarët që kishin ardhur për këtë koncert, pasi një pjesë e tyre kishin gjetur alternativa jashtë sheshit për të qenë pjesë e këtij koncerti. Ndryshe pranë të rënëve të luftës së zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për tre ditë qytetarë të shumtë vendosen lule dhe nderuan dëshmorët e kombit.

Image

Ndizen flakadanët e lirisë në Prekaz

Sonte në Prekaz janë ndezur flakadanët që e përmbyllin manifestimin “Epopeja e UÇK-së”, që mbahet për nder të 21 vjetorit të luftës dhe rënies heroike të Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, familjes së tij dhe gjithë atyre që ranë për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Të rreshtuar, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ndezën flakadanët që simbolizojnë fillimin e qëndresës së familjes Jashari karshi okupatorit serb. Ndërsa, qytetarë të shumtë nga gjitha trevat e Kosovës u panë tek memoriali që bart emrin e komandantit legjendar, Adem Jashari për të nderuar veprën e tij dhe familjes së tij.

Arbëreshi nga Italia, Shefqet Jashkuri tregon që ka ardhur që tre ditë në Prekaz, vetëm për të nderuar veprën e familjes Jashari. Sipas tij, kjo është tokë e shenjtë jo vetëm për kombin shqiptar, por për gjithë njerëzimin, pasi siç thotë ai, nëse duam ta dimë si fitohet liria, atëherë Prekazi është destinacioni i duhur.

Jashkuri: Nëse dikush në botë do të mësojë si fitohet liria, duhet me ardhur në Prekaz

“Unë jetoj në Itali, vij posaçërisht për të nderuar Jasharët, madhështinë e kombit, legjendat e kombit. Kam dashur që të vij para 23 vitesh, të jem atje ta gjej në male Adem Jasharin, që solli lirinë, bashkë me gjithë familjen e tij, gjithë kosovarët e vërtetë. Por, nuk ia rrita qëllimit. Tash ka tre ditë që rri në Prekaz. Për mua kjo është tokë e shenjt, jo vetëm për ne, por është për gjithë botën njerëzore, pasi nëse dikush në botë do të mësojë si fitohet liria, duhet me ardhur në Prekaz”, deklaroi ai.

Ndryshe nga Jashkuri, prej Komunës së Kamenicës ka ardhur në Prekaz, Afrim Emini, i cili shprehet se në këtë vend duhet me ardhur çdo muaj dhe jo çdo vit, pasi siç konsideron ai duhet frymëzohemi për të ardhmen. Duke përmendur sakrificën e familjes Jashari, Emini tha se një pjesë e amanetit të tyre, nuk është përmbushur dhe se elita politike në Kosovë duhet të punojë më shumë, në mënyrë që të përmbushet në tërësi.

 Emini: Elita politike në Kosovë duhet të punojë më shumë

“Është një vend që meriton të vijmë jo çdo vit, por dhe çdo muaj që të vijmë dhe frymëzohemi për të ardhmen, një pjesë e qëllimit të familjes Jashari është përmbushur, por ndoshta ka vend që hala nuk është shkuar në vend amaneti i komplet familjes së Adem Jasharit. Elita politike në Kosovë duhet të punojë më shumë që të përmbush amanetin e dëshmorëve që kanë dhënë jetën për liri”, tha ai. Për të përfunduar shënimin e përvjetorit të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, pas ndezjes së flakadanëve në Prekaz, manifestimi u zhvendos në Skenderaj, në Sheshin që mban emrin e komandantit Adem Jashari.

Image

“Nata e Zjarreve” në Prekaz, të gjithë në nderim të familjes Jashari

Dhjetëra djem të veshur me uniforma të UÇK-së kanë bartur në dorë flakadanët që simbolizojnë fillimin e “Natës së Zjarreve”

Ata pas ndezjes së flakadanëve kanë nderuar të rënët e Jasharajve në Prekaz dhe tek kulla e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ky manifestim është i treti me radhë dhe i fundit për nder të “Epopesë së UÇK-së” që fillon më 5 mars, pikërisht ditën kur më 5 mars 1998 ka filluar beteja mes Jasharëve dhe policisë dhe ushtrisë serbe.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat