A do mund të anëtarësohet Kosova në INTERPOL këtë vit dhe çfarë duhet të bëjë në këtë drejtim?

Aktuale

A do mund të anëtarësohet Kosova në INTERPOL këtë vit dhe çfarë duhet të bëjë në këtë drejtim?

Më: 7 mars 2019 Në ora: 23:32
Foto ilustrim

Kosova pas dështimit në vitin e kaluar për të qenë pjesë e INTERPOL-it, këtë vit ka aplikuar sërish dhe aplikimi është pranuar nga organizata më e madhe e policisë në botë.

Por a do të mund të anëtarësohet Kosova kësaj radhe në INTERPOL?

Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL vitin e kaluar dhe shumë njohës të çështjeve të sigurisë e cilësuan këtë si një ‘sukses të Serbisë’ në lobimin e saj kundër Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq është i njohur për fushatën e tij kundër njohjeve të Kosovës e që është edhe detyra qendrore që Daçiq ia ka vënë vetës publikisht.

Pos kësaj, Daçiq ka lobuar kundër Kosovës edhe në INTERPOL gjë që ka rezultuar edhe me mospranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për të diskutuar në lidhje me këtë, lajmi.net ka biseduar me njohësin e çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja.

Qehaja është shprehur se lajmi i mirë është që Kosova nuk ka hequr dorë edhe pas dështimit që pati vitin e kaluar.

“Së pari, unë mendoj që është mirë që kemi aplikuar sërish, do të thotë nuk kemi hequr dorë nga aplikimi dhe është lajm i mirë që faktikisht Kosova do të hyjë në agjendën në tetor të këtij viti në Kili dhe kjo është mirë që kemi vepruar kështu sepse ka pasur zëra se për shkak të debatit që kemi pasur vitin e kaluar për këtë çështje ku Serbia arriti t’i bind shumë shtete të mos na votojnë dhe nuk u bëmë anëtar të kësaj organizate të sigurisë shumë të rëndësishme”, është shprehur Qehaja.

Ai gjithashtu është shprehur se ani pse është pranuar aplikimi i Kosovës, shteti duhet të ketë kujdes me Serbinë dhe diplomacinë e egër të saj.

“Mirëpo janë disa çështje që duhet t’i kemi parasysh. Së pari kemi të bëjmë me një Serbi zyrtare, me një diplomaci të egër serbe e cila në vitin e kaluar ka luajtur një rol shumë të madh dhe janë parë metodat dhe mënyrat e veprimit të saj që ta pengoj Kosovën të anëtarësohet në këtë organizatë”, tha më tutje Qehaja.

Gjithashtu, eksperti Qehaja thotë se një person i cili ka qenë në konferencën e fundit të INTERPOL-it ku edhe ka dëshruar Kosova, i ka treguar atij se çfarë ka bërë delegacioni serb.

“Në bazë të bisedës që kam pasur me një person që ka qenë në konferencë është vërtetuar që metodat e shpjegimit apo thënies të të pavërtetave të Kosovës, kanë qenë aq të ashpra, aq të ndyta sa që ka qenë e pamundur të kuptohen shumë gjëra. Ata kanë shpenzuar shumë para, kanë angazhuar një numër shumë të madh të njerëzve dhe ia kanë arritur qëllimit”, tha Qehaja më tutje.

Qehaja është shprehur se Kosova që nga ky moment duhet të fillojë përgatitjet për anëtarësim në INTERPOL, gjithmonë duke pasur parasysh se ka të bëjë me diplomacinë e egër të Serbisë.

“Është mirë që tani më e dimë kush është Serbia, çfarë diplomacie ka, çfarë metoda përdorë dhe ne tani duhet të fillojmë nga ky moment të konsolidohemi, të bëjmë përgatitjet tona në këtë drejtim. Së pari duhet t’i gjejmë njerëzit adekuat që mund të lobojnë për këtë çështje tek ato shtete të cilat nuk na kanë votuar apo kanë abstenuar”, tha Qehaja.

Ndër të tjera, ai u ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Jashtme edhe Ministrisë së Brendshme të Kosovës që të angazhojnë një numër të ekspertëve që do të lobojnë tek shtetet që kanë votuar kundër Kosovës.

Gjithashtu, Qehaja është shprehur se duhet të hartohet strategji e veçantë me të cilën synohet të binden shtetet anëtare të INTERPOL-it të votojnë pro Kosovës.

“Mirëpo unë kujtoj se Ministria e Jashtme e Kosovës që duhet ta ketë si përparësi këtë çështje, por edhe Ministria e Brendshme nuk kanë kuadro të mjaftueshme për angazhim në këtë drejtim dhe unë mendoj që duhet në nivel të Kosovës të merren masat të gjinden njerëzit, ekspertëve të lëmive të ndryshme e posaçërisht të sigurisë që njohin gjuhë të ndryshme dhe të bëhet një plan i veprimit në të cilin duhet të përfshihen metodat dhe mënyrat se si duhet vepruar sepse është konstatuar që në vitin e kaluar kemi pasur mjaft njerëz në terren, jashtë për të lobuar por që nuk ka pasur ndonjë strategji të posaçme. Do të thotë, kërkohet një konkretizim i çështjeve. Kam ardhë në përfundim që këtë vit duhet të shkojmë të sigurt. Dhe kuptohet ndarja e mjeteve financiare, por sigurisht të angazhojmë kuadro edhe nga jashtë ministrive, nga jashtë Kosovës, pra të gjejmë njerëz që mund të kontribuojnë”, tha krejt në fund Qehaja.

Vlen të theksohet fakti se shteti serb pas pranimit publik se Kosova ka aplikuar në INTERPOL, haptazi ka bërë thirrje që të mos pranohet ky aplikim.

Madje, edhe ministri i jashtëm serb, Nebojsha Stefanoviq e ka quajtur vendimin për aplikimin e Kosovës si vendim politik.

Por, megjithëkëtë Kosova ka fituar sfidën e parë me Serbinë këtë vit sa i përket anëtarësimit në INTERPOL.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat