Zyrtari amerikan kërkon ndaljen e provokimeve Kosovë-Serbi dhe vazhdim të dialogut

Aktuale

Zyrtari amerikan kërkon ndaljen e provokimeve Kosovë-Serbi dhe vazhdim të dialogut

Më: 8 mars 2019 Në ora: 19:14
Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale

Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale, ka qëndruar në Beograd.

Zyrtari i lartë amerikan u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i ndalin provokimet dhe ta vazhdojnë dialogun.

Nga Kosova, Hale ka kërkuar që të hiqet tarifa ndaj mallrave serbe.

Në një njoftim në Twitter të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, thuhet se “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifës, ndaljen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdim të dialogut”.

Në një tubim pas takimit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur vendim të papërgjegjshëm dhe kundër dialogut, miratimin e platformës dhe ka përmendur katastrofën, nëse Prishtina vazhdon me, siç ka thënë, veprime të papërgjegjshme.

“Ai dokument i tyre, për ne është i vështirë, por ju lus që të keni besim në ne. Ne nuk do të reagojmë shpejt, do të presim disa ditë ose javë, para se të marrim vendimin tonë për masat e nevojshme. Por, ju garantoj që përgjigja jonë do të jetë e vendosur, për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë dhe të Serbisë në Kosovë, duke ia lënë hapur mundësinë vazhdimit të dialogut, por disa njerëz duhet të bëhen më seriozë. Ndërsa, ata që po e përkrahin Prishtinën dhe bëjnë sikur nuk e shohin se çka po ndërmerr, është mirë të mendojnë sa afër katastrofës jemi nëse vazhdojnë veprimet e tilla të papërgjegjshme të Prishtinës”, deklaroi Vuçiqi.

David Hale, në Beograd është takuar edhe me kryeministren Ana Bërnabiq dhe ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq.

“Për platformën, mund të them vetëm se është e kundërta e mendjes së shëndoshë. Është dokument që duhet shumë kohë për të thënë atë çfarë dua. Është kundër kompromisit dhe dialogut të mëtutjeshëm. Nuk bën fjalë rreth jetës, së paku të serbëve në Kosovë, e as për asgjë tjetër. Do të vazhdojmë ta analizojmë këtë dokument”, ka thënë Bërnabiq.

Nënsekretari amerikan i shtetit, David Hale, do të qëndrojë të shtunën në Kosovë dhe do të takohet me krerët institucionalë.

Çështja e taksës ndaj mallrave serbe dhe vazhdimi i dialogut, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me Serbinë, pritet të jenë temat kryesore në këto takime.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar në vazhdimësi pezullimin e taksës, për t’i hapur rrugë dialogut mes dy shteteve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat