Selmanaj: Qeveria u dekonspirua me 7 Mars, ditën kur është vrarë Adem Jashari

Aktuale

Selmanaj: Qeveria u dekonspirua me 7 Mars, ditën kur është vrarë Adem Jashari

Nga: N.H Më: 8 mars 2019 Në ora: 21:49
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se Qeveria u dekonspirua ditën kur ka rënë Adem Jashari, me mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme.

Selmanaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se seancat e thirrura nga subjektet opozitare u shtynë pasi qeveria tha se në ato data ishte fillimi i “Epopesë së UÇK-së”.

“Vlerësimi ynë ishte se nderimi më i madh për të rënët do të ishte nëse ne nuk e vjedhim e as dëmtojmë këtë vend, por megjithatë ishte vlerësim i tyre”.

Deputeti i LDK-së, thotë se paradoksi qëndron se pikërisht në ditën kur janë vrarë pjesëtarët e familjes Jashari, Qeveria thirr seancë të jashtëzakonshme.

“Paradoksi është se në datën 7 mars, pra në ditën kur është vrarë komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari me gjithë familjen e tij, Kryeministri thërret seancë të jashtëzakonshme. Ne kërkuam të shtyhet kjo seancë sepse ishte e rëndë të diskutohen raportet me Serbinë, në ditën kur u vranë Jasharajt dhe jo vetëm. Këta na e rrëzuan kërkesën tonë dhe vazhduan me seancën”, tha ai.

Selmanaj thotë se Qeveria u dekonspirua ku sipas tij ata treguan se nuk kanë lidhje me idealet e atyre që kanë vdekur në këtë vend.

“Këta në fakt për dy ditë u dekonspiruan dhe treguan se lidhje nuk kanë me të rënët në këtë vend, këta lidhje nuk kanë me idealet e atyre që kanë vdekur në këtë vend. Këta e kanë vetëm të kapitalizojnë ndonjë votë, eventualisht në datat kur përkujtohen të rënët të vjedhin. Kjo është logjika e tyre dhe për fat të keq kështu ndodhi”.

Deputeti i LDK-së thotë se seanca e mbajtur me 7 mars përpos që ishte e padrejtë në aspektin moral, mbajtja e saj ka shkelur edhe rregulloret e punës së Kuvendit.

“Ne nuk e kuptuam jashtëzakonshmërinë e seancës. E kontestuam edhe procedurën si u thirr seanca…Në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit, ata mblodhën natën komisionet parlamentare, përkundër që rregullorja thotë që deputetët duhej të kishin në dispozicion së paku pesë ditë pune para mbajtjes së seancës”, tha ndër të tjera Driton Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat