Haxhiu dhe Tahiri shtyhen me fjalë pas deklaratës së ambasadorit britanik, O’Conell

Aktuale

Haxhiu dhe Tahiri shtyhen me fjalë pas deklaratës së ambasadorit britanik, O’Conell

Më: 11 mars 2019 Në ora: 15:23
Albulena Haxhiu në tryezën me temë “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”

Bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë dështimet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pasi ky është momenti i fundit që vendi të shënojë rezultate në luftimin e krimeve të rënda, në mënyrë që të mos humbasë mbështetjen ndërkombëtare.

Kështu tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Conell në tryezën me temë “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”, ku u shpreh se dëshiron të jetë më i drejtpërdrejtë.

O’Conell tha se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në Kosovë dhe për këtë nuk mund të pranojë dështimin. Ndërkohë që parashtroi pyetje ndaj prokurorëve e gjyqtarëve se ku qëndron problemi i mos ndëshkimit të krimit të rëndë në vend.

Ai theksoi se përgjegjësia bie prokurorët dhe gjyqtarët, teksa shtoi se nuk janë të pranueshme justifikimet se ka mungesë të guximit apo për kapje të sistemit.

“Kosova nuk duhet të jetë strehimore e krimit dhe korrupsionit. Tash e kam edhe një pyetje? Çka ua merr mendja, deri kur mund të vazhdojë Kosova të ketë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare kur vazhdon të dëshmojë mungesën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar? Është koha e fundit që zyrtarët me integritet të kontestuar të ecin nga pozitat dhe të ndiqen për krimet e tyre. Ndryshime të tilla i duhen policisë, gjyqësorit dhe prokurorisë. Ato duhet të burojnë nga vetë zyrtarët me integritet që janë në pozita drejtuese. Politika duhet t’i mbajë duart larg nga këto institucione. Nuk po e zgjas më shumë, sepse nuk ka kohë. Nuk ka kohë më edhe për Kosovën dhe për sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës duhet të jenë heronjtë e ri të Kosovës”, tha ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha se gjetjet e IKD-s në këto vite është se korrupsioni në Kosovë është endemik.

“Edhe në vitin 2019, mungon transparenca, llogaridhënia e bartësve kryesor që menaxhojnë dhe udhëheqin me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe luftimin e korrupsionit. Fatkeqësisht kjo qasje po rrezikon sundimin e ligjit dhe integrimin evropian të Kosovës. Kosova, në raportet e mekanizmave të caktuar të BE-së, tanimë ka filluar të quhet edhe si ‘shtet i kapur’. Në tri vitet e fundit, ende nuk e kemi asnjë zyrtar të lartë publik, i cili është dënuar me burgim efektiv për vepër penale të korrupsionit, apo i cili është duke vuajtur dënimin në burgjet e Kosovës”, tha ai.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se korrupsion ka në çdo vend, por theksoi se në vendet e zhvilluara korrupsioni hetohet dhe luftohet.

Edhe ajo u shpreh pro vetingut, porse theksoi se këtë duhet ta bëjë vetë Kosova e jo përfaqësuesit e ambasadave. Kjo sipas saj, pasi është momenti i fundit që Kosova t’i marrë përgjegjësitë në duart e veta.

“Për mua janë shqetësuese sot dënimet me kusht për rastet e korrupsionit.  Ato i inkurajojnë zyrtarët e lartë që të keqpërdorin pozitën e tyre, pra të vazhdojnë. Dhe, me ju thënë të drejtën, milionerët sot në Republikën e Kosovës janë bërë para syve të drejtësisë, pa asnjë problem për shkak se sistemi i drejtësisë nuk i ka ndjekur. Hyni sot në ueb faqen e Agjencionit Kundër Korrupsionit, vetëm për pasuritë që i kanë deklaruar zyrtarët e lartë, është absurde me besuar që janë të ardhura të ligjshme. Pra, nuk kemi pasur as minimumin e vullnetit politik për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ajo.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se nuk mendon se mundon vullneti politik në vend. Teksa shtoi se për vetingun duhet bërë një analizë, pasi që sipas tij nuk mundet gjithmonë Kosova të shkojë me themelimin e institucioneve. Ai tha se kanë arritur një reformim të thellë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Nuk mendoj që mungon vullneti politik, se ju e keni parë që ka qenë vullneti i politikës për të adresuar çështjen e legjislacionit, një çështje që ka qenë e ngritur edhe në dy raportet për vendin nga BE-ja. Edhe në këtë rast kemi arritur një reformim të thellë të dokumenteve bazike, jashtëzakonisht të rëndësishme, të cilat lidhen direkt me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ministri Tahiri.

Skënder Çocaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se llogaridhënia dhe transparenca do të jenë prioritetet e gjyqësorit në vend. Sipas tij, brenda këtij viti do të krijohet një departament për reduktimin dhe mbrojtjen e gjyqtarëve më eminent të Kosovës, ku do të gjykohet korrupsioni i profilit të lartë.

Ndërsa kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se edhe sot nuk janë të kënaqur me rezultatet në luftën kundër korrupsionit në tërësi dhe krimit të organizuar.  Ai tha se te korrupsioni është problemi i numrit të madh të njerëzve të akuzuar, krahas vendimeve të vogla përfundimtare.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, u shpreh se është e nevojshme që strukturat udhëheqëse të Policisë të përkrahin hetuesit.

Ai u shpreh se Policia e Kosovës, posaçërisht Drejtoria për luftimin e krimeve ekonomike është duke kryer një punë të mrekullueshme.

Ndryshe, raporti “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”, flet se si prokurorët për tre vjet kanë zgjidhur raste ndaj 2 mijë e 838 personave të dyshuar për korrupsion, ku ndaj 1 mijë e 809 personave apo 64 për qind të tyre, rastet e korrupsionit mbyllen në Prokurori, pa kaluar përmes kontrollit gjyqësor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat