MASHT-i dhe SBASHK-u të premten ballafaqohen për kompensimin e orëve të humbura

Aktuale

MASHT-i dhe SBASHK-u të premten ballafaqohen për kompensimin e orëve të humbura

Më: 11 mars 2019 Në ora: 15:59
MASHT-i dhe SBASHK-u të premten ballafaqohen për kompensimin e orëve të humbura

Gjatë një diskutimi për gjendjen në arsim në gjysmë vjetorin e dytë që ka filluar me tri javë vonesë, anëtarët e Komisionit parlamentar për Arsim sot kanë kërkuar nga Sindikata e Arsimit(SBASHK) që të kompensojnë orët e mësimit të humbura në janar për shkak të grevës së mësimdhënësve.

SBASHK e ka paditur në Gjykatë MASHT-in në lidhje me këtë vendim dhe ka kërkuar anulimin e vendimit për kompensimin e orëve.

Gjykata ditë më parë ka refuzuar njërën nga ankesat e SBASHK-ut atë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nga ana e MASHT-it.

Kryetari i Komisionit Ismajl Kurteshi theksoi se të shtunën që është dashur të jetë ditë e parë e kompensimit të mësimit, ka pasur një lloj kaosi në nivel vendi.

Andaj, Kurteshi tha se disa shkolla të cilat e kanë mbajtur mësimin dhe kanë respektuar vendimin e Ministrisë, ndërsa një pjesë nuk e kanë mbajtur mësimin duke respektuar kërkesën e Sindikatës që të mos shkojnë në mësim.

Ai tha se Sindikata duhet ta rishqyrtoj vendimin e saj dhe të mundësohet kompensimi i orëve të mësimit.

Kurteshi: SBASHK-u ta zbatojë vendimin e Gjykatës

 “Pas humbjes së madhe të mësimit që ka ndodhur e që mendoj se është e pa kompensueshme e për të cilën dikush do të duhej të përgjigjej, sepse marrëveshja që është bërë pas tri jave ka mundur me u bërë në tri ditët e para. Tash po na lind edhe një çrregullim i madh në arsim, një pjesë duke zëvendësuar. Në momentin kur Sindikata e Arsimit çështjen e ka dërguar në Gjykatë, ajo është dashur ta respektoj vendimin e Gjykatës çfarëdo qoftë ai. Sepse nëse ne respektojmë vendime vetëm kur ato vendime na përgjigjen neve, është mirë mos me i dërguar në Gjykatë hiq’, tha Kurteshi.

Ndërsa, Teuta Haxhiu, anëtare e komisionit, theksoi se zëvendësimi i orëve të humbura të mësimit me vendim të MAShT është i drejtë. Haxhiu tha se është mirë që Sindikata e Arsimit të jetë unike, që mos të ketë laramani për kompensimin e mësimit të humbur.

Haxhiu: Kaosin nëpër shkolla po e bën SBASHK-u

“Ajo që po ndodhë ditëve të shtunë e laramania e disa shkollave për të mbajtur mësim e disa të tjera jo, konsideroj se kryekëput këtë e ka bërë SBASHK-u. Fatkeqësisht me të drejtë për të hyrë në grevë në periudhën kur kanë hyrë, por fundi i grevës dhe rezultati i grevës ka qenë po i njëjti që në ditën e parë e propozuar”, tha Haxhiu.

Driton Çaushi, anëtar në Komision  tha se ky kundërshtim i vendimit të MASHT është i papërgjegjshëm nga SBASHK.

Çaushi propozoi që ky Komision të jetë një lloj ndërmjetësuesi ndërmjet SBASHK dhe MASHT për zgjidhjen e këtij problemi.

Çaushi: T’i ballafaqojmë MASHT-in dhe SBASHK-un në Komision

“Mendoj që prej SBASHK-ut duhet një reagim pak më i përgjegjshëm, sepse jemi duke fol për një dëm që është shkaktuar, duke qenë të vetëdijshëm prej ditës së parë të grevës që zëvendësimi s’është asnjëherë cilësor, edhe tash ky kundërshtim duke mos e pranuar vendimin e Ministrisë pa dhënë asnjë zgjidhje që duhet me qenë shumë emergjente tash. Nëse jeni të pajtimit mendoj se mund të bëjmë një përpjekje që të ftojmë ministrin dhe SBASHK-un gjatë kësaj jave dhe të gjejmë një zgjidhje, të ballafaqojmë të paktën”, tha Çaushi.

Edhe Luljeta Veseli, anëtare e Komisionit deklaroi se kompensimi i mësimit në disa komuna dhe në disa jo, tregon një politizim të arsimit në Kosovë.

Veselaj: Ka ndikim politik dhe politizim në sistemin arsimor

“Duhet të bëjmë një analizë të thellë jo vetëm për kompensimin e mësimit, por edhe për situatën dhe kaosin që është shkaktuar për një kohë të gjatë. Pastaj mbarëvajtja e mësimit ën disa shkolla dhe në disa komuna tregon qartë ndikimin politik dhe politizimin në sistemin arsimor”, deklaroi Veselaj.

Komisioni vendosi që të premten të raportojnë në këtë komision, SBAShK- dhe ministri i Arsimit lidhur kontestimin e zëvendësimet të orëve të mësimit.

Në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi është bërë formimi i grupeve punuese për monitorim të ligjeve, atë për Trashëgimi Kulturore, për Arsim parauniversitar, si dhe për mbikëqyrjen e Inspektoratit të Arsimit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat