Dëbimi i shtetasve turq, Ambasada e SHBA-së ka një porosi për liderët e Kosovës

Aktuale

Dëbimi i shtetasve turq, Ambasada e SHBA-së ka një porosi për liderët e Kosovës

Nga: B.S Më: 11 mars 2019 Në ora: 17:24
Shtetasit turq të depërtuar

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë është deklaruar rreth dëbimit të gjashtë shtetasve turq gati një vit më parë nga Kosova, nën dyshimin se ata paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare, përcjell "Bota sot".

Përmes një deklarate për media, ambasada shpreh kënaqësinë e saj për themelimin e komisionit hetimor parlamentar, i cili zbuloi shkelje ligjore lidhur me incidentin, pavarësisht përpjekjeve për të penguar punën e tij.

Gjetjet e komisionit, të cilat sugjerojnë në 31 shkelje ligjore ose procedurale nga ana e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe institucioneve tjera, ngrenë shqetësime rreth mashtrimit nga ana e agjencive kryesore të sigurisë, si dhe ndjeshmërinë e sektorit të sigurisë ndaj manipulimit politik, thuhet në deklaratë.

Ambasada amerikane në Prishtinë u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të sigurojnë përgjegjësi të plotë për këdo që shkel ligjin dhe rikujton liderët e Kosovës që institucionet e sigurisë duhet të veprojnë vetëm brenda autoritetit kushtetues, në varësi të sundimit të ligjit.

“Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet e pavenda nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet në deklaratën e ambasadës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat