Kryetari i Komisionit hetimor për dëbimin e shtetasve turq, Xhelal Sveçla ka thënë se mediat ndërkombëtare, por edhe SHBA dhe Britania e Madhe, përmes ambasadave të tyre në Prishtinë, po ngrenë shqetësime mbi abuzimin e të drejtave të njeriut nga institucionet dhe pushteti në Kosovë, përcjell “Bota sot”
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se Kur shkelen të drejtat e kur një njeri keqpërdor institucionet shtetërore, s’mbetet tjetër veç me përkushtim e vendosmëri të ngremë zërin.
Postimi i plotë:
Edhe mediat ndërkombëtare, por edhe SHBA dhe Britania e Madhe, përmes ambasadave të tyre në Prishtinë, po ngrenë shqetësime mbi abuzimin e të drejtave të njeriut nga institucionet dhe pushteti në Kosovë. Fajin për këtë nuk e kanë zyrtarët e ulët e të mesëm, por ata që e kanë kapur shtetin dhe e përdorin për t’i bërë ndere e favore miqve, edhe duke shkelur ligjin e të drejtat e njeriut.
Kur shkelen të drejtat e kur një njeri keqpërdor institucionet shtetërore, s’mbetet tjetër veç me përkushtim e vendosmëri të ngremë zërin. Kudo që ka shkelje duhet punë e rezistencë, për të sjellë në vend drejtësinë e për të pamundësuar përsëritjen. Ndaj secilës shkelje ne do të reagojmë. Republikën e Kosovës do ta bëjmë siç e meritojnë qytetarët e përvuajtur të këtij vendi, ashtu siç gjenerata të tëra e kanë ëndëruar. Pra një republikë ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, e askujt nuk i shkelen të drejtat vetëm pse ashtu vendos pushteti.