Haradinaj: Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat e njeriut

Aktuale

Haradinaj: Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat e njeriut

Nga: Z.B Më: 12 mars 2019 Në ora: 14:29
Ramush Haradinaj

Pas reagimit të ambasadës amerikane, asaj britanike dhe gjermane për dëbimin e shtetasve turq nga Kosova, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj është deklaruar përsëri lidhur me këtë çështje.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se, për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin, përcjell “Bota sot”.

Haradinaj ka shkruar se, në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit.

Postimi i plotë:

Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova.

Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin.

Me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Gjithashtu në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit.

Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme.

Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut.RH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat